Mozzik emocionon me këngën për të bijën: ‘Vështirë të të duket babi yt si i huaj’
Për ditë me radhë, Mozzik habiti ndjekësit duke postuar vazhdimisht në Instagram Stories pyetjen: “Kujt i thoni ‘Të dua’?”. Pikëpyetjet morën përgjigje në mesnatë kur publikoi këngën e fundit, “Të dua”, një dedikim i ndjerë për të bijën, Hanën.
“Unë gëzoj shumë suksese të mëdhaja / I kam krejt ç’kam dashur të kem në jetë / Por veç ty nuk të kam afër,” – thotë Mozzik në fillim të këngës.
Teksti, i cili është vlerësuar shumë nga njerëzit referuar komenteve online, rrëfen historinë e komplikuar me Loredanën dhe dhimbjen e Mozzik për shkak se e ka vajzën larg.
“Vëshirë, vështirë mos të të shoh tetë muaj / E të duket babi yt si i huaj,” dëgjohet në një pjesë tjetër të këngës. “Po ndihem keq sot që këtu nuk të kam / Dje të pashë në ëndërr dorë për dore / me dikë tjetër e jo me babin tënd / Mos pyesni ‘A je mirë’ kur çdo ditë diçka mungon.”
Mozzik i drejtohet të bijës duke i thënë se nuk do të flasë kurrë për arsyet e ndarjes me Loredanën, “sepse është shumë e rëndë”. “Edhe kur mami të gjëjë dikë / mos u shqetëso se nuk ka njeri që më zëvendëson / do të jem babi yt deri sa shpirti të më pushojë,” thotë ai.
Në një mbishkrim në Instagram, Mozzik shtoi se kjo është hera e fundit që ai përmend të bijën në këngë dhe tekste sepse ka vendosur të mos e përfshijë më.
“Hana ime e vogël, për momentin e di që nuk do e kuptosh këtë këngë! Por besoj që kur të rritesh edhe pak, do e kuptosh. E kur të bëhesh për ta kuptuar këtë këngë, do të doja shumë që të mos e hapim si temë asnjëherë. Të jetojmë ashtu si na ka ardhuhr jeta. Të dua më së shumti në botë.”
Videoklipi i këngës ka detaje të trëndafilave dhe gjakut, që duket se simbolizojnë dashurinë dhe dhimbjen për të bijën.