Mos vallë nuk duhet të hamë kurrë më ëmbëlsira?! Studimi i fundit nuk do i pëlqejë aspak dashamirësve të tyre
Ushqimi ndikon mikrobiomën në zorrën e trashë – e kështu edhe shëndetin tonë. Eksperimentet me minj tregojnë, se sheqeri vret baketere të caktuara të zorrës së trashë, që parandalojnë obezitetin dhe sëmundjet.
Çokollata, biskota e ëmbëlsira – të gjitha këto shijojnë, por nuk janë të shëndetshme. Që konsumimi i tepërt i sheqerit është i dëmshëm për shëndetin, kjo dihet dhe është tashmë një realitet jo i këndshëm. Po ashtu konsiderohet e sigurt edhe njohuria, që ushqimi ynë lë gjurmë në organet tona të aparatit të tretjes e kësisoj influencon edhe jetën e baktereve që gëlojnë në zorrën tonë.
Studiuesit e Columbia University në Nju Jork së fundi kanë publikuar në revistën shkencore „Cell” një studim, që tregon, se si influencon sheqeri mikrobiomën e zorrës së trashë tek minjtë – e kjo madje me pasoja për sistemin imunitar.
Baktere të mira, baktere të këqia
Në zorrën e trashë jetojnë bakteret, që janë përgjegjëse për rritjen e qelizave të caktuara të imunitetit, të ashtuquajturat qeliza ndihmëse T, ose më saktë: qelizat Th17. Shkencëtarët kanë vërejtur, se këto qeliza imunitare rregullojnë absorbimin e yndyrës në zorrën e minjve.
Studiuesit gjithashtu kanë konstatuar, se një ushqim me përmbajtje sheqeri stimulon rritjen e baktereve të caktuara, të cilat pastaj eliminojnë atë pjesë të mikrobiomës që forocon imunitetin. Si rrjedhojë përmes mukozës së zorrës depërton më shumë yndyrë në trupin e minjve. Kafshët jo vetëm trashen deri në mbipeshë, por edhe sëmuren. “Se çfarë efekti ka sheqeri në zorrën e njeriut nuk njihet ende mirë”, thotë Christian Sina, drejtor i Institutit të Mjekësisë së të Ushqyerit në Universitetin e Lybekut. Studime me minjtë ka shumë, ndërkohë që të dhënat për zorrën e trashë tek njeriu janë të pakta. Megjithatë është e qartë, se sheqeri me tepricë definitivisht nuk është i shëndetshëm.
Sheqer po, por me sasi të kontrolluar
Megjithatë kush kalon ndonjë çast dobësie dhe zbraz raftin e ëmbëlsirave, apo e kalon ditën ulur në kolltuk duke ngrënë çokollata e duke pirë limonatë, nuk sëmuret menjëherë. Ndaj Christian Sina nuk do t’i verë kryqin përfundimisht sheqerit nga menyja. “Fare pak sheqer për të ëmbëltuar kafenë, nuk është problem”, thotë mjeku nutricionist.
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) këshillon, që konsumi i sheqerit në ditë të pakësohet në 25 gram. Kjo sasi i përgjigjet gjashtë lugëve kafeje sheqer. Një sondazh i Center of Disease Control and Prevention (CDC) në vitet 2017 dhe 2018 rezultoi, se amerikanët në SHBA mesatarisht konsumojnë 17 lugë kafeje me sheqer në ditë.
Ushqimet e prodhuara industrialisht përmbajnë shumë sheqer
Problematike nuk janë vetëm tortat, biskotat e çokollatat, të njohura për përqendrimin e lartë të sheqerit. Por edhe produktet e gatshme ushqimore të ashtuquajturat „sheqer i fshehur”: Kush ha shumë ushqime të gatshme, e tejkalon lehtë normën e përmbajtjes së sheqerit në gjak.
Prej kësaj shumë shpejt krijohet rrethi vicioz: ushqimi me përmbajtje sheqeri jo vetëm e rrit shpejt vlerën e sheqerit në gjak, por bën edhe që kjo vlerë të bjerë shpejt sërish. Mungesa e sheqerit që pason, e nxit përsëri edhe më shumë urinë për ëmbëlsira.
Pasojat e vlerës së rritur të sheqerit dhe yndyrës në gjak janë krahas obezitetit edhe sëmundjet kardiovaskulare. Si rrjedhojë pasojnë infarktet në zemër, apopleksia cerebrale (goditje në tru) dhe diabeti i tipit 2.
Pothuajse pa alternativa të mira
Mjalti, shurupi i agaves, sheqeri artificial si saharina kanë disa avantazhe, thotë nutricionisti Sina. Por sipas tij “edhe këto alternativa ndaj sheqerit të përpunuar kanë problemet e tyre.” Mjalti dhe shurupi i agaves përmbajnë gjithashtu glukozë, pra sheqer.
Nëse rezultatet e studimeve me minjtë e dikur edhe studimet tek njeriu do të konfirmojnë dëmet që shkakton sheqeri, ndoshta OBSH-së dhe mjekëve nutricionistë do t’u duhet ta rishqyrtojnë sasinë e rekomandueshme të përdorimit të tij.
Sidoqoftë të dhënat që ekzistojnë deri më sot qartazi flasin për „sa më pak, më mirë”. “Ne duhet të heqim dorë prej ndjenjës, që e ëmbla është mirë për ne”, thotë mjeku nutricionist Sina. Pra duhet pasur parasysh: jo çdo ditë konsum sheqeri dhe jo në sasi të mëdha.
DW