Moderatori i njohur Meriton Mjekiqi arrestohet nga Policia e Kosovës, flet avokati i tij!

Moderatori i njohur i “Gjoni Black” dhe menaxheri i disa artistëve, Meriton Mjekiqi, u arrestua mbrëmjen e djeshme nga Policia e Kosovës.

Zëdhënësi i Policisë, Bajram Krasniqi, bëri me dije për “KlanKosova” se ai ishte shoqëruar në komisariat pas një konflikti në rrugët e Prishtinës. Sipas tij ngjarja ka ndodhur pas një mosmarrëveshje në trafik.

“Në ora 22:20, policia është njoftuar për një rast, në të cilin janë përfshirë dy vetura, konkretisht drejtuesit e tyre. Rasti, sipas informatave fillestare, ka ndodhur si pasojë e mosmarrëveshjeve në trafik të drejtuesve të dy makinave. Rasti është duke u trajtuar në SP ‘Jugu’ në Prishtinë”.- ishte deklarata paraprake nga Policia.

Ndërkohë media të ndryshme raportuan se arrestimi i tij kishte ardhur pasi në vendin e ngjarjes ka pasur të shtëna me armë dhe moderatori është arrestuar në shtëpinë e një familjari të tij, i cili ishte në kërkim nga Policia. Megjithatë këto dyshime u hodhën shpesjt poshtë. Fillimisht nga miqtë e moderatorit të cilët ishin dëshmitarë të ngjarjes. Për Indeksonline ai tha se gjatë konfliktit nuk kishte të shtëna, por vetëm konfrontim mes fjalësh.

“Nuk është e vërtetë që kanë gjuajtur me armë, janë kapur veç me fjalë, Meritoni tani është në polici duke u intervistuar. Nuk është arrestuar” ka thënë njëri prej tyre.

Ditën e sotme Meritoni është liruar dhe këtë lajm e ka konfirmuar vetë avokati i tij me deklaratën e dhënë në rrjetet sociale. “Meriton Mjekiqi është i lirë… Unë jam avokati i tij edhe njoftoj opinionin se nuk është intervistuar për kurfar gjuajtje me armë, nuk ka qenë në arrati edhe ky lloj informimi nga mediat pa kurfar konfirmimi zyrtar paraprak është brengosës… Në këtë rast është provokuar gazetari në rrugë edhe kjo është e vërteta. U dridh mali e u lind miu…”, është shprehur ai.

/News31