Modelja e ‘Makina e Memories’ rrëfen kujtimet nga kënga e famshme e Ardit Gjebreas

Në emisionin e pasdites, “Rudina” në Tv Klan ishte e ftuar Fatjona Lubonja, autorja e librit “Ditët që ikën pa leje”. Prej vitesh ajo jeton në SHBA, por në jetën e saj këtu si adoleshente, ajo ka patur përvoja televizive si pjesë e videos muzikore të njohur të viteve ’90, “Makina e Memories” nga Ardit Gjebrea, aktore në filmat “Një vajzë dhe një djalë”, ndërsa sot është neurologe.

Ka studiuar Neuroshkencë dhe Edukim në Universitetin e Kolumbias dhe ka marrë titullin “Doktoreshë”, ndërsa specializimin e ka kryer në universitetin prestigjioz të Harvardit. Fatjona është autore dhe studiuese e eseve dhe studimeve të fushës së saj dhe ka fituar çmime të rëndësishme.

Në studion “Rudina” ajo erdhi për të folur posaçërisht për librin e saj të ri, të publikuar fillimisht në SHBA e tashmë gjendet edhe në shqip, “Ditët që ikën pa leje”. Libri është një përmbledhje esesh të shkurtra për ditët e rëndësishme që krijojnë kujtime dhe lënë gjurmë në kujtesën e njerëzve.

Rudina Magjistari: (Pas insertit). Këngë shumë e bukur.

Fatjona Lubonja: Shumë e bukur. Edhe është aktuale akoma sot. Aty shkuam grup shoqërie dhe unë Arditin e njihja që në Lice. Unë sapo kisha ardhur dhe po bëhesha gati të nisesha në Amerikë.

Rudina Magjistari: Kishe mbaruar Liceun. Ti për çfarë ke studiuar në Lice?

Fatjona Lubonja: Për balet. Arte në përgjithësi. Mbaj mend isha edhe me Agron Aliajn, unë aty kërceva edhe “Ofelinë”, ishte shumë e bukur, por të gjithë e kishin mendjen te videoja. Unë as nuk e pashë videon, e kam parë shumë më vonë, sepse ikja në Itali, në Amerikë për punë dhe e mbaj, mend Petri Bozo, regjisori, kishte një stil, nuk e di e ka akoma mendoj, që nuk e kuptoje kur xhiroje, ishte spontan. Unë jam vetë si personazh spontan dhe ajo më bëri të isha shumë e qetë. Në fakt, ne ishim në plazh aty, jemi pa tualet, sepse hidheshim në det dhe natyrale, kjo më tepër ka ngelur e bukur, sepse je komplet një femër e re, natyrale, me atë buzëqeshjen dhe natyrisht do interpretonim një këngë dashurie, do interpretonim njëfarë emocioni, si histori dashurie.

Rudina Magjistari: Dhe është kujtim shumë i bukur. Keni xhiruar një ditë të tërë apo zgjatën xhirimet?

Fatjona Lubonja: Xhirimet zgjatën gati një muaj, sepse ishin xhirime të ndryshme. U bë edhe një koncert atëherë, nuk ishte vetëm videoklipi dhe Joni Kraja bëri skenografinë dhe ka qenë një nga skenografitë më të mira që unë kam parë për arsye se e bëri në det.

Rudina Magjistari: Ka qenë një skenografi si anije më duket? Se çfarë koncerti ka qenë nuk e di, nuk e mbaj mend, por më kujtohet anija.

Fatjona Lubonja: Mbaj mend se Arditi më thirri edhe për spikere atëherë, nuk e di si u gjenda në atë moment. Agron Aliaj bëri një koreografi shumë të bukur, unë bëra “Ofelinë”, sepse i kisha flokët shumë të gjata dhe imazhi im ishte i përshtatshëm.