Modeli shqiptar baba për herë të tretë këtë verë: Arsyeja pse e zgjodha nënën e fëmijëve jashtë botës së showbizz-it
Modeli i famshëm shqiptar, Alessio Alia, sapo ka festuar ditëlindjen në Australi, pak para se të bëhet baba për herë të tretë në korrik, pas vajzës dhe djalit.
Për familjen e bukur që ka krijuar në Australi me partneren e tij, Katherine Carnie, arsyen pse e zgjodhi nënën e fëmijëve jashtë botës së showbizz-it, sekretin për të qenë çift kopertinash e biznesin me VIP-a, Alessio i rrëfen në këtë intervistë për “Panorama Plus”.
Si e festove këtë ditëlindje, pak me ndryshe nga të tjerat, duke qenë se sa po dalim nga periudha e pandemisë?
Alessio Alia: Kjo ishte një nga ditëlindjet më të bukura që kam kaluar, kur vajza ime dhe djali im më zgjuan dhe më dhanë dhuratën në mëngjes. Partnerja Katherine të kishte bërë një dedikim të bukur, ku të quante “gladiator”.
Sillesh si një hero në dashuri e familje?
Alessio Alia: Jeta ime ka qenë si ajo e një gladiatori dhe ajo gjeti një foto që më kishin bërë para shumë vitesh e më krahasonin me Akilin. Gladiator duhet të jesh gjithmonë për familjen tënde.
Ndërkohë jeni në pritje të fëmijës suaj të tretë. Është djalë apo vajzë?
Alessio Alia: Këtë herë e kemi lënë si surprizë, rëndësi ka të jetë i shëndetshëm.
Do të vini në Shqipëri këtë verë pasi të hapen kufijtë siç bëni çdo vit, apo keni ideuar diçka tjetër?
Alessio Alia: Patjetër që do vij në Shqipëri, kismet në gusht do jem andej. Edhe pse jeton në Australi, je shumë i lidhur me showbizz-in shqiptar, pasi gjithmonë je pjesë e tyre.
Për ty, çfarë rëndësie ka fama në Shqipëri, ndërkohë që jeton aq larg?
Alessio Alia: Në fakt, mediat kanë pasur qejf gjithmonë të më pyesin (90% e tyre) për shumë gjëra në lidhje me jetën time, ashtu siç e dini dhe ju, pasi njihemi që para 14 vitesh, vite që keni qenë ndër të parat media që intervistonit personazhe si unë, duke më intervistuar në lidhje me çfarë angazhimesh kishim nëpër botë në ato vite. Kështu, raporti midis meje dhe gazetarëve ka qenë gjithmonë i mirë, prandaj ju s’më harroni asnjëherë, edhe pse vitet kalojnë.(qesh)
Fakti që nuk e zgjodhe nënën e fëmijëve nga bota e showbizz-it ishte rastësi, apo pikësynim i yti?
Alessio Alia: Jo, nuk është rastësisht kjo zgjedhje, po ashtu e mendova. Për mua, dy persona nuk është mirë të jetojnë bashkë dhe të bëjnë të njëjtën punë. Mendimi im është ky tani. Shumë të tjerë e mendojnë ndryshe, por unë kështu e kam dashur dhe jam shumë i lumtur.
Bëhet xheloze partnerja për femrat, që ndoshta të shohin me sy ndryshe, apo ajo beson te ty? Po ti për të?
Alessio Alia: Jo, nuk bëhet xheloze se nuk ka arsye pse të bëhet. E njëjta gjë është dhe për mua ndaj saj.
Dukeni bukur në plazh. Si arrini të keni linja prej top-modelësh edhe pasi u bëtë prindër, ndiqni një regjim të caktuar si çift?
Alessio Alia: Eshtë më e lehtë kur të kthehet në stil jete mbajtja e trupit në formë. Është shumë e rëndësishme të kujdesesh për veten, pavarësisht nga mosha.
Si mund t’ia dalësh të kesh familje të bukur e të bashkuar në këtë kohë kur njerëzit vuajnë për pak stabilitet në jetë?
Alessio Alia: Duhet të jesh gjithmonë i vendosur në veten tënde, për çfarë dëshiron në jetë. Dhe kur të jesh i vendosur, pastaj gjërat vijnë avashavash. Filozofia ime për jetën është: Koha nuk ikën, koha vjen për çdo person.
Sa i përket punës me organizin e koncerteve të VIP-ave, ç’do bëhet me koncertin e planifikuar të Noizyt në Australi, por që s’u realizua për shkak të pandemisë?
Alessio Alia: Me Noizyn, kur të hapen clube-t do t’i bëjmë planet përsëri. Tani s’bëj dot plane, pa u hapur diskot.
/Panoramaplus.al nga Klotilda Harka