Modeli Marsel Seitaj: Jam në prag të martesës me modelen e njohur ruse

Me nofulla të skalitura, sy të mëdhenj dhe hundë elegante modeli shqiptar Marsel Seitaj ishte shëmbëlltyra e mbretit të pop-it, Michael Jackson, në fillimet e tij në modë kur flokët i mbante kaçurrela natyrale. Djali brun që bie në sy për fizikun e atletit rrëfen në këtë intervistë të parë për revistën “Story”, karrierën nga pasarelat e modës në Itali, Kinë, Malajzi, Tajlandë, Korenë e Jugut, etj dhe pagesat shumë më të larta krahasuar me ato në Shqipëri. Tashmë i fokusuar në menaxhimin e të rinjve që aspirojnë të kenë sukses në botë, Marseli flet për historinë 5 vjeçare të dashurisë me modelen ruse Ksenia Arova, dhe jeta ndryshe që e pret të bëjë si burrë i martuar.

Si është karriera jote deri tani në botë, dhe për cilët stilistë ke pozuar?
Deri tashmë do të thosha që bëhen gati gjashtë vjet, që unë jam pjesë e botës se modelingut. Stilistët për të cilët unë kam pozuar dhe sfiluar përgjithësisht janë në shtete të ndryshme të Azisë, mes të cilëve mund të përmend eksperiencën time në “Java e Modës” në Pekin.
Mund të përmendësh markat, të cilat i ke ekspozuar në këtë event të rëndësishëm të modës?
Aty kam sfiluar për firma të mëdha kineze si për shembull:Cabeen, G-Star, Jiwenbo, Chi Zhang, etj. Gjithashtu kam sfiluar edhe për ekskluzivitetin e “Ed Hardy&Calvin Klein Jeans” në Kinë. Po ashtu ndër eksperiencat e mia vlen të përmendet “Java e modës në Seoul” (Kore e Jugut), kur kam qenë i përzgjedhur për firmën e famshme ndërkombëtare “MCM”. Arritje të tjera të miat në botën e modës janë dhe pozimi si imazh i dyqaneve të mëdha në; BANGKOK, Thailand 4x4Men& ESP.
Shumë angazhime si model, por mund të veçosh ofertat më të rëndësishme që mund të themi se të kanë ndryshuar jetën?
Oferta të rëndësishme që më kanë ndryshuar jetën? E vetmja që mund të përmend është kontrata e tretë jashtë vendit, aty ku unë fillova të bëja revista të ndryshme në Pekin (Harper’s Bazaar China), dhe pjesëmarrja ime në javën e modës atje, dy herë.
Çfarë pëlqejnë tek ty fotografët, dhe me cilin model apo aktor me famë gjejnë ngjashmëri fizike?
Tek unë forografët pëlqejnë prerjet e nofullave, besoj edhe sytë e mëdhenj dhe hundën elegante. Do të thosha që nuk ka qenë aq e lehtë për ta të me krahasonin me yje të kinemasë botërore ose njerëz të tjerë të famshëm. Vlen për t’u përmendur kur i kam pasur flokët më të gjata, dhe kur i mbaja natyrale kaçurrela për foto ndodhte të më krahasonin me Michael Jackson.
Si ndryshojnë pagesat e modelëve në Shqipëri me ato jashtë vendit?
Pagesat ndryshojnë shumë më shumë nga pagesat në Shqipëri. Këtu sfilatat paguhen 250 deri në 400 Euro. Ndërsa setet fotografike me orë (120-200 Euro ora), ku minimalisht gjithmonë setet forografike janë 4 orë, dhe mund të zgjasin deri në 12 orë me raste.
Është jeta që ti bën ajo që ke ëndërruar?
Do të thosha që “po”. Më pëlqen shumë rruga që kam zgjedhur me kohë, dhe nuk do të ndalem kurrë besoj në lidhje me botën e modës. Vlen të përmendet fakti që unë prej një viti jam dhe menaxher modelesh, ku dërgoj modelë shqiptarë dhe të huaj në të gjitha shtetet e botës.
Të takon jeta me modelet e famshme dhe mund të përmendësh disa prej tyre?
E vërtetë që jeta më ka takuar me modelë të famshëm, dhe ndër to mund të përmend modelin e famshëm dhe mikun tim rus, Arthur Daniyarov, i cili ka punuar për firma të mëdha ndërkombëtare në të tri kontinentet kryesore të modelingut si; Azi, Europë, Amerikë. Gjithashtu shoqen time shumë të afërt që tashmë është shumë e famshme, Anastasia Kostenko, që ka kur ka përfaqësuar shtetin e Rusisë në “MISS WORLD 2014”.
Është martesa në profesionin tuaj një hap apo vendim që u pengon në karrierë. Ti sa pranë je atij vendimi të rëndësishëm?
Kjo pyetje duket si me porosi për mua, pasi ndër arsyet pse po merrem me menaxhim modelesh është së pari pasioni dhe e dyta për faktin se unë prej 5 vitesh bashkëjetoj me një modele ruse të quajtur Kseniia Arova. Ajo në shtator kthehet në Tiranë dhe me shumë mundësi gjërat pritet të shkojnë drejt martesës. Siç e shikoni edhe vetë nëse martohesh nuk mund të ikësh me kontrata afagjata larg vendit, sepse familja është e shenjtë dhe normalisht ka nevojë që t’i gjendesh pranë sa më shumë. Kështu që të largohesh nuk është ide e mirë. Gjithsesi kontrata të shkurtra nuk përjashtohen si mundësi e së ardhmes, ndonëse mund të jesh i martuar.