Mjeshtri i Madh i Labërisë, punësuar për të pastruar rrugët e Vlorës

Vendim Kapaj, ‘Mjeshtri i Madh’, instrumentist i shquar në të gjithë Labërinë dhe jo vetëm, për më shumë se 50 viteve është i njohur për aftësinë e tij të veçantë në krijimin e melodive me fyell, por sot duket se gjithë ai mund dhe vlerësim i është lënë në harresë.

Kush do ta mendonte që artisti që mahniti italianët, francezët, në shumë e shumë koncerte do të punësohej nga bashkia për të shërbyer në mbledhjen e mbeturinave të qytetarëve të Vlorës.

Sot Vendim Kapajn, Mjeshtrin e Madh e gjen në Vlorë, jo duke bërë muzikë a kompozuar melodi, por në në konteinerët e mbeturinave duke pastruar, plehrat.

Ai është punësuar nga bashkia, jo në Teatër apo në Pallatin e Kulturës, aty ku duhet të ishte, por u punësuar si punonjës i thjeshtë pastrimi.

Vendim Kapaj e ka nisur punën me fyell pothuajse 50 vite më parë, me grupin e Kërkovës. Më pas u angazhua me grupe të tjera për vite të tëra.

Në vitin 2000, në një shfaqje në Butrint të Sarandës, me pjesëmarrje të Silvio Berlusconit, ky i fundit u përkul 3 herë para mjeshtrit Kapaj për ta falënderuar për atë që bëri. /Shqiptarja