Mjeku shqiptar: Pse shifrat e ISHP për covid-19 janë të pabesueshme
Mjeku Erion Dasho ka bërë një koment në rrjetet sociale pas publikimit të shifrave të së mërkurës ku u shënuan 50 të rasteve pozitive me covid-19. Ai shkruan se rikthimi i grafikut si dhëmbët e sharrës së thyer “i vendos vulën e pabesueshmërisë dhe mungesës së profesionalizmit” institucioneve shqiptare.
“Komunikimi i rasteve të sotme me COVID i vendos vulën e pabesueshmërisë shifrave tona zyrtare!
Në momentin kur grafiku nisi t’i ngjante një kurbe dhe sot shpresohej sheshimi i saj (rasti më i mirë) ose rritja e mëtejshme (rasti më i keq), ndodhi çudia: rastet pothuajse u përgjysmuan në raport me ditë e djeshme.
Kjo situatë tregon se megjithëse kanë kaluar më shumë se tre muaj, komiteti i “ekspertëve” nuk ka arritur të zbatojë një sistem testimi sado pak efikas apo një sistem survejance epidemiologjike sado pak të besueshëm.
Që prej datës 18 maj, në Shqipëri është duke ndodhur transmetimi i papenguar i COVID dhe pritshmëria është që kurba ditore e rasteve t’i nënshtrohet ligjësive të normalitetit.
Rikthimi i formës së çuditshme të grafikut të ngjashëm me dhëmbët e sharrës së thyer i vendos përgjigjes shqiptare ndaj COVID vulën e pabesueshmërisë dhe mungesës së profesionalizmit.
PAK BESUESHMËRI DHE SERIOZITET JU LUTEM! PO HUMBISNI RESPEKTIN DHE VËMENDJEN E QYTETARIT! PO E LINI VENDIN NË DORËN E TEKAVE TË VIRUSIT!” – shkruan Dasho. ©LAPSI.al