Mjeku i ISHP: Shqipëria e arriti kulmin, mund të hiqen disa kufizime
Epidemiologu i ISHP-së Dritan Ulqinaku thotë se tashmë ka ardhur koha që në Shqipëri të ulen masat e ndërmarra dhe të dalim nga izolimi. Në një lidhje me ABC News, Ulqinaku u shpreh se me ritmet e deri tanishme të kurbës së të infektuarve vendi ynë mund ta ketë kaluar pikun e pandemisë së koronavirusit.
“Shifrat janë të pranueshme tashmë na ka dalë frika se mund të kemi një pikë. Ka gati 10 ditë që tashmë kemi një rritje graduale të numrit të personave të infektuar që ka shkuar nga 10 deri në 20 raste në ditë me një % të vogël të rasteve që kanë kërkuar hospitalizim. Problemi për mua është se ne duhet të fillojmë ti çmontojmë masat, por patjetër duke respektuar distancimin social. Unë mendoj se është momenti se ka ardhur koha për ta menduar zbritjen e këtyre masave drastike. Pasi frika e rëndimit të sistemit shëndetësor mendoj se ka kaluar” – tha mjeku.
Ulqinaku u shpreh se tashmë mendon se është momenti që të fillojë dhe ulja e masave në mënyrë graduale pasi kjo do të ndihmojë që sistemi mjekësor ta ketë më të menaxhueshme situatën e rasteve me koronavirus. Ai ka theksuar ndër të tjera se fatmirësisht falë masave të marra dhe respektimit të tyre numri i rasteve të infektimit dhe jetëve të humbura është brenda kufirit të menaxhueshëm.
“Unë mendoj se nëse vazhdojnë këto masa ne e kemi arritur kulmin, por nëse vijojmë të zbresim ne duhet të jemi të kujdesshëm. Zbutja e masave duhet të na bëjë të kujdesshëm, çdo masë që ne do të heqim. Lirimi i një afati përshembull deri në orën 16:00 duhet të na bëjë që të shikojmë me kujdes shifrat epimidiologjike.
Nëse fillojmë kështu mendoj se piku është arritur. E vetmja frikë është se lirimi i menjëhershëm mund të kemi një problem, duhet të jemi të kujdesshëm, por nëse vazhdojmë kështu për mua piku është arritur. Nuk besoj se vendimi do të jetë i menjëhershëm, unë mendoj se çdo gjë duhet të fillojë graduale që në mënyrë të paktën të shkojmë me këtë ritëm deri në fund të prillit” – thotë mjeku.