Mjekët e këshilluan të shmangte fluturimet me avion, ja për ku ishte nisur Diogo Jota kur ndodhi aksidenti

Detaje të tjera janë zbuluar në lidhje me akdisentin fatal ku humbën jetën Diogo Jota dhe vëllai i tij, teksa ishin nisur për të kapur tragetin nga Spanja drejt Anglisë kur ndodhi aksidenti tragjik që i mori jetën.

Sulmuesi i Liverpulit kishte vendosur të shmangte fluturimin për shkak të një ndërhyrjeje kirurgjikale, pas këshillës së mjekëve që të mos udhëtonte me aeroplan.

“BBC” raporton se Jota kishte planifikuar të kthehej në Liverpul për përgatitjet parasezonale përmes rrugës tokësore dhe detare.

28-vjeçari kishte marrë rrugën nga Porto me makinë, për të arritur në portin e Santanderit, në veri të Spanjës, prej nga do të udhëtonte me traget drejt Britanisë së Madhe.

Udhëtimi përfshinte edhe një ndalesë në Zamora, një qytet i afërt me kufirin portugez, rreth 300 kilometra nga Porto dhe afërsisht po aq nga porti. Pikërisht në këtë segment rrugor ndodhi aksidenti fatal, ku humbi jetën bashkë me vëllain dy vite më të vogël, Andre.

Jota kishte bërë të njëjtën rrugë në drejtim të kundërt vetëm pak ditë më parë, për të qenë në Porto për dasmën e tij. Ai pritej të kthehej në Angli për t’iu bashkuar skuadrës së Liverpulit në fillim të javës së ardhshme.

tpz.al