“Mjaft lëvizët shishet e sponsorave”! UEFA gjoba të rënda për futbollistët

Duket se heqja e shisheve të Coca-Colës dhe birrës Heineken, të dy sponsorë të “Euro 2020”, është kthyer në trend për konferencat e futbollistëve. I pari që e nisi këtë gjë ishte ylli Cristiano Ronaldo që largoi Coca-Cola-n dhe bëri thirrje të pihej ujë, duke i shkaktuar kompanisë humbje marramendëse. Më pas ishte Paul Pogba që largoi birrën Heineken, për shkak se feja muslimane nuk lejon konsumimin e alkoolit. Po ashtu edhe Manuel Locatelli i Italisë në konferencën për shtyp me gazetarët, me të hyrë në sallë, gjëja e parë që bëri ishte largimi nga vetja i dy shisheve me Coca-Cola dhe mbulimi i birrës me një send që ndodhej në tavolinë.

Pas këtyre episodeve të njëpasnjëshme, UEFA kujtoi Federatat e përfshira se ka detyrime dhe se të ardhurat e sponsorëve janë të rëndësishme për turneun dhe futbollin evropian. Martin Kallen, CEO i UEFA Events SA dhe drejtor i turneut “Euro 2020” paralajmëroi se në këto raste futbollistët do gjobiten me shuma të majme. “Lojtarët janë të detyruar të respektojnë rregullat e turneut përmes federatave”, vazhdoi Kallen, duke sqaruar se “UEFA nuk do të ndëshkojë një lojtar drejtpërdrejt, por do ta bëjë atë përmes federatave. Ne kemi një rregullore të nënshkruar nga pjesëmarrësit, të cilat janë Federatat. Coca-Cola dhe Heineken janë midis 12 sponsorëve të nivelit të lartë për Euro 2020 duke kontribuar në të ardhurat totale të turneut, gati 2 miliardë € (2.4 miliardë dollarë).”- tha ai.

/News31