Misteri i vdekjes së Sibora Geganit, rrëfehet autori: E kam vrarë 9 vite më parë, trupin e shpërbëva me acid, e kam murosur

Marco Romeo, shtetasi italian i arrestuar për vdekjen e ish-partneres së tij, Paula, në Malaga të Spanjës, ka rrëfyer se ka murosur ish- të dashurën e tij shqiptare Sibora Gagani, e cila u zhduk në vitin 2014.

Sipas mediave të huaja, vrasësi i dyshuar i Paulës sapo kishte refuzuar të dëshmonte në polici, por kur pa foton e Sibora Gaganit në ambientet e policisë, pranoi se e kishte vrarë.

Deklaratat i bëri spontanisht, pa praninë e avokatit të tij, por më vonë kur i shkoi pranë avokati mbrojtës, u tërhoq nga rrëfimi i tij.

Pas rrëfimit, policia ka kontrolluar banesën e tij, por trupi i të resë shqiptare ende nuk është gjetur. Ai ka pohuar se trupin e ka shpërbërë me acid dhe se e ka murosur.

Romeo u arrestua nga Policia kombëtare pasditen e së mërkurës, disa orë pasi trupi i pajetë i Paulës u gjet me disa plagë me thikë.

Fqinjët sigurojnë se më parë ka pasur një diskutim të fortë mes të dyve.

Sibora Gagani u zhduk 9 vjet më parë, gjatë verës së vitit 2014. Në atë kohë, Gagani ishte 22 vjeç dhe punonte si kamariere.