Misteri i ekzekutimit të mercenarit famëkeq rus Igor Mangushev në Ukrainë

Kapiteni famëkeq i ushtrisë ruse, mercenari Igor Mangushev vdiq në spital, pak ditë pasi u qëllua në kokë nga një distancë e afërt në Ukrainën e pushtuar. Lajmin e dhanë miqtë e tij. Gruaja e Mangushev, Tatyana e përshkroi vrasjen e tij në një qytet të pushtuar nga rusët si një ekzekutim.

Ai komandonte një njësi anti-dron në Luhanskun e pushtuar. Ai njihet si një nga themeluesit e një grupi mercenar që luftonte kundër forcave ukrainase në vitin 2014. Ai u ngjit në një skenë verën e kaluar duke mbajtur në dorë kafkën e një burri. Në një video të postuar në mediat sociale në gusht, Mangushev thoshte se kafka i përkiste një luftëtari ukrainas të vrarë duke mbrojtur fabrikën e çelikut Azovstal në portin jugor të Mariupolit.

Si një nacionalist ekstremist, Mangushev thoshte se Rusia nuk ishte në luftë me njerëzit, por me idenë e Ukrainës për një “shtet anti-rus” dhe nuk kishte rëndësi se sa ukrainas kanë vdekur. Mangushev doli nga një lëvizje neo-naziste për të bashkëthemeluar grupin privat mercenar “Yenot”. Më vonë ai u njoh me shefin mercenar më famëkeq të Rusisë, Yevgeny Prigozhin.

Vrasja e tij ka nxitur spekulime të shumta se kush mund ta ketë kryer sulmin në një pikë kontrolli në qytetin e pushtuar ukrainas të Kadiivka, larg vijës së frontit. Raportimet ruse thanë se ai ishte qëlluar nga një distancë e afërt me një plumb 9 mm të shkrepur në majë të kokës në një kënd prej 45 gradë. Autoritetet ruse po hetojnë vrasjen, por deri më tani nuk kanë thënë asgjë për rrethanat. Thuhet se plumbi i kishte mbetur në kokë. Para se të vdiste, fotot e tregonin atë të shtrirë në një shtrat spitali.

Një tjetër nacionalist ekstrem rus, Pavel Gubarev, tha se të gjithë e dinin se kush qëndronte pas të shtënave. Lufta 11-mujore në Ukrainë ka fuqizuar botën e errët të ekstremistëve në Rusi dhe ka ndezur rivalitete mes tyre. Eksperti i çështjeve të Rusisë, Mark Galeotti tha se ky vend po rrëshqiste drejt aspekteve të viteve 1990, kur “vrasja ishte një taktikë biznesi dhe kufiri midis politikës, biznesit, krimit dhe luftës u bënë gati të pakuptimta”. ©LAPSI.al