Misteret e metropolit dje, sot dhe nesër/ Eni Cici: Si e ndërtova në 3D “Bulevardin Virtual të Tiranës”
Realiteti virtual është trend sot në botë, që do të përjetohet si real edhe në Tiranë nëse “bëni një xhiro” në “Bulevardin Virtual të Tiranës”. Projekti është fokusuar në krijimin e imazheve 3D të qytetit të Tiranës në tre periudha kohore. Studentë të arkitekturës, të cilët morën pjesë në krijimin e materialeve 3D, u angazhuan së bashkë me studentë të teknologjisë së informacionit për krijimin e itinerarit virtual te qytetit të Tiranës në tre kohë; (e shkuara), prezantimin e tij me teknologjitë e kohës (e tashmja), e në fund krijimin e një vizioni për të renë (e ardhmja). Eni Cici, themeluese e organizatës “Prospective Habitat”, me eksperiencë në fushën e konsulencës së klientëve dhe sipërmarrjeve të huaja, rrëfen për “Story”, misteret e metropolit dje, sot dhe nesër. Për detajet se si e ndërtoi në 3D “Bulevardin Virtual të Tiranës”, konsulentja në fushën e marketingut dixhital pranë një organizatë me seli në Bruksel, i zbulon në këtë intervistë:
Jeni iniciuese e projektit “Bulevardi Virtual i Tiranës”. Ç’është ky projekt, dhe cila është risia që sjell sa i përket teknologjisë?
Projekti “Bulevardi Virtual i Tiranës” së bashku me aktivitetet e tij u organizua në kuadër të programit “Tirana Kryeqyteti Europian i Rinisë 2022”, me mbështetjen financiare të Kongresit Rinor Kombëtar dhe në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës. Projekti http://prospectivehabitat.org/bulevardi-virtual-i-tiranes/ është fokusuar në krijimin e imazheve 3D të qytetit të Tiranës në tre periudha kohore. Ky projekt angazhoi studentë të arkitekturës, të cilët morën pjese në krijimin e materialeve 3D, si dhe studentë të teknologjisë së informacionit për krijimin e itinerarit virtual te qytetit të Tiranës në tre kohë (e shkuara), prezantimin e tij me teknologjitë e kohës (e tashmja), e në fund krijimin e një vizioni për të renë (e ardhmja).
Si u lindi ideja për të hartuar një projekt të tillë mjaft avangardë, dhe si zbatohet?
Ndërthurja e këtyre dy profesioneve sot ndihet tepër e domosdoshme duke parë interesin në rritje të realiteteve virtuale. Kështu menduam se ku më mirë se studentët e arkitekturës dhe IT-së mund të përdorin këto mjete për zhvillimin e tyre profesional, duke hapur kështu më tepër mundësi dhe duke krijuar tregje të reja pune në botën virtuale. Projekti u zbatua nëpërmjet sesioneve informuese pranë universitetit “Marin Barleti”, dhe pranë zyrave të Kongresit Rinor Kombëtar ku studentë dhe jo vetëm, u informuan nga ekspertët tanë si do të krijoheshin imazhet 3D në tre kohë, dhe tani vazhdon në fazën e realizimit të imazheve dhe prezantimit final te tyre.
Në kohën e revolucionit teknologjik, jemi kureshtarë të dimë se si është të iniciosh teknologjinë e së ardhmes dhe çfarë mund të zbuloni më shumë për detajet?
Të iniciosh teknologjinë e së ardhmes do të thotë që paralelisht të zhvillosh imagjinatën në një dimension tjetër artistik. Arti është konsideruar shumë i rëndësishëm, pasi ai historikisht ka qenë një mjet komunikimi, një nxitës i ndërveprimit dhe një instrument për të transmetuar zhvillimin kulturor dhe qasjen e historisë ndër vite. Ndër metodat e përdorura është prodhimi produkteve teknologjike, produkti qe sjell projekti në fjalë do të jetë një itinerar virtual turistik me anë të teknologjisë VR. Nëpërmjet kësaj ekspozite virtuale, përdoruesit do të përjetojnë vizionin që të rinjtë kanë për qytetin e tyre, duke i dhënë ndryshimet e tij në kohë. Nga ana tjetër ky projekt ka një rëndësi për promovimin e kulturës dhe turizmit të vendit tonë.
Është ky një trend botëror dhe ku aplikohet më shumë?
Sigurisht që është një trend në botë. Realiteti virtual ka një përdorim të gjerë, gjen zbatim në projekte kulturore, turistike, në shërbime financiare, apo dhe në ato shëndetësore, gjë që do të përmirësojë jetën dhe zgjedhjet tona.
Është diçka nga e cila të rinjtë argëtohen, dhe me cilën kënaqësi tjetër jete do e krahasonit?
Teknologjia virtuale tejkalon argëtimin, është diçka që të rinjtë argëtohen, marrin më tepër informacione për qytetin, si ka qenë në të kaluarën dhe si ata e imagjinojnë në të ardhmen. Ky projekt do të ketë në fokus qendrën historike të Tiranës, ku do të përfshihen ndërtimet që ndodhen në vijën e parë përgjatë Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, nga sheshi “Nënë Tereza” deri tek Stacioni Trenit. Pikat e vrojtimit përgjatë itinerarit do të përfshijnë: Universitetin Politeknik të Tiranës, Piramidën, sheshin “Skënderbej”, dhe disa ndërtesa të tjera që ndodhen përgjatë këtij segmenti.
“Bulevardi Virtual i Tiranës” do të pasohet nga projekte të tjera?
Organizata jonë “Prospective Habitat” është një organizatë e re e themeluar në vitin 2020 nga një grup personash me përvojë në fushën e arkitekturës, trashëgimisë kulturore e mjedisit por dhe të teknologjisë, marketingut dhe ëeb-dizajnit. Qëllimi i organizatës sonë është promovimi, edukimi, ruajtja dhe zhvillimi i kulturës dhe mjedisit tonë në një mënyrë të qëndrueshme. Pikërisht në këtë fokus janë zhvilluar edhe projektet tona, pasi deri tani organizata jonë ka fituar dy projekte me Ministrinë e Kulturës dhe një projekt me Bashkinë e Tiranës./www.story.al