Miss Ballkani, Atalanta Kërçyku: Nuk besoj të ketë vajzë showbizi që nuk ka marrë ngacmime nga çdo kategori djemsh
Atalanta Kërçyku konsiderohet vajza e rekordeve pasi ka arritur të fitojë pesë kurora gara miss-esh. 25 vjeçarja nga Elbasani me bukuri të veçantë po përgatitet t’i hyjë televizionit si prezantuese, dhe të hapë studion e saj të arkitekturës. Ndërkohë me fotografin Taulant Haxhiasi ajo ka realizuar një set fotosh artistike me bikini në plazhin e Shëngjinit, në temperaturat e ulëta të nëntorit. Për revistën “Story” Atalanta Kërçyku rrëfen sekretet e vajzës së bukur që njeh vetëm fitoren…
Je shprehur se do të të shohim shumë shpejt në ekran. Cili është formati i duhur për ty, dhe si do e ndjesh veten në rivalitet me vajzat e tjera të televizionit?
Ekrani më ka tërhequr gjithmonë, e po bëj shumë përpjekje të stacionohem diku. Unë personalisht kam përgatitur një projekt-ide timen, por mund edhe të filloj në ndonjë format ekzistues. Nuk kam vendosur ende momentin e duhur, por kjo do të jetë e ardhmja ime.
I ke marrë parasysh kostot e fames si një vajze televizioni, dhe cila është frika jote më e madhe?
Ato kosto të vijnë që në momentin që vë këmbët në showbiz pothuajse. Televizioni ka më shumë shumë më pak dallim. Por mendoj se të qenurit atje ka dhe më shumë përfitime që ia vlejnë. Përpos të dashuruarit e kësaj fushe është një super privilegj, pasi të jepet mundësia të ndikosh në përditshmërinë e ekraneve tona. Nuk kam ende ndonjë frikë, madje e kam me shumë qejf.
Ndalojmë pak tek fillimet e tua. Si ndodhi që konkurrove për herë të parë në një garë miss-esh, u ndjeve vetë aq e bukur sa për të sfiduar vajzat e tjera, apo dikush spikati tek ty bukurinë?
Unë isha në fillimet e Universitetit, shumë larg konkurseve të bukurisë në momentin kur më shkruajti një menaxher i huaj duke më thënë se me fotot që kisha duhet të konkurroja se s’bën. Pak insistim, një kontratë, shumë kërkime në google dhe papritur u gjenda majë takave duke konkurruar në një skenë të vërtetë. Nga ajo skenë dola me kurorë si fituese mes 40 vajzave europiane. Ky moment ndryshoi gjithçka.
E gjatë këtyre viteve ke fituar pesë kurora bukurie. Emocionet që ke përjetuar dhe për çfarë të kanë vlejtur?
Jam ndjerë shumë e veçantë. Një kurorë është shumë për të ndryshuar jetën, imagjino 5 të tilla. Plus tashmë njerëzit më njohin si vajzën e rekordeve, pak të tilla ka në të gjithë botën. Koleksionimi i tyre ka ardhur shumë rastësisht, dhe nga ftesat e organizuesve të eventeve. Unë nuk kisha si qëllim të grumbulloja, madje në këtë pikë që jam pothuajse po i refuzoj të gjitha duke menduar se kam shumë të tilla. Ideja e konkurseve të bukurisë nuk është vetëm të mbash kurorën aty të zëjë pluhur, por të dish t’i përdorësh këto fitore si një trampolinë për t’u stazhionuar diku tjetër.
Si i kujton momentet më të bukura nga këto gara, dhe momentet kur vërtet je përlotur?
Kurora e parë ka qenë shumë emocionuese. Isha shume pak e përgatitur krahasuar me eksperiencën që kam grumbulluar tashmë. Në momentin që u tha “Albania” si fituese në konkursin europian kam qarë. Vlen të përmendet dhe kurora e “Miss Ballkanit 2015” si një tjetër emocion, ku për herë të parë fitoi Shqipëria. Ndërsa përsa i përket modelingut sfiduese ishin konkurset si “Next Top Model of the World” dhe “Supermodel International” në Liban dhe Kore. Të ishe aq larg dhe të përfaqësoje vendin tënd ishte nder e kujtim që nuk harrohet kurrë.
Sa e bukur është jeta e misse-ve, ka ndodhur që ke marrë ngacmime nga njerëz me pushtet, etj?
Normalisht është më e bukur sesa të qenurit një vajzë e thjeshtë. Kurora të jep mundësinë e të njohurit të njerëzve të artit e jo vetëm. Shume gjëra bëhen më të aksesueshme, ndërsa fillojnë të të shohin si personazh showbiz-i. Del nëpër revista, gazeta apo evente. Të jepet mundësia e një pune më të mirë. Ka edhe të këqijat e saj, si një jetë private më në fokus, vështirësi të tjera të cilat nëse nuk je e fortë nuk i përballon. Nuk besoj të ketë vajzë showbizi që nuk ka marrë ngacmime nga cilado kategori djemsh. Është në dorën e secilës të bëjë zgjedhjen e saj.
Po jeta jote private si ka qenë dhe si është tani pas fitoreve? Ke provuar dashurinë e vërtetë si miss, pra e ke pasur më të thjeshte apo më të vështirë?
Jeta private ka qenë më e vështirë, por më e bukur njëkohësisht atëherë kur kishte një të tillë. Njerëzit stepen nga vajzat e bukura dhe thashethemet që qarkullojnë nga njerëz që nuk të njohin fare ndonjëherë bëjnë punën e vet. Ndërsa kur ndodh është komplet e bukur, sepse të trajtojnë mirë e vajzat ëndërrojnë për romanticitete apo jo?
Sa ishin temperaturat kur realizove setin e fundit të fotove, dhe pse zgjodhe një plazh si Shëngjini?
Ishim me fotografin Taulant Haxhiasin, dhe po mendonim një set më ndryshe ndërkohë që e dinim se temperaturat po uleshin. Më pyeti nëse e përballoja dot këtë gjë, dhe përgjigja ime ishte: “Sigurisht”. Një modele profesioniste është gjithmonë gati, kudo e kurdoherë. Fati im i mire që përveç erës që frynte, rëra ishte shumë e ngrohtë gjë që na ndihmoi shumë. Më ka ndodhur të bëj një set me rroba pranvere në mes të dimrit me dëborën afër gjunjve. Por edhe pse dridhesha nën temperaturat -gradë vazhdoja të buzëqeshja.
Një trup elegant dhe me forma, si i mban linjat tani pasi i ke fituar pesë kurora?
Për këtë gjë duhet falenderuar mami im. Ajo ende ka një super trup edhe pas tre lindjeve. Nuk jam një njeri i dietave ekstreme e palestrave të rregullta. Filloj i ndjek kur e kuptoj se po më ikën situata pak nga duart, edhe pse e di që duhet t’i filloj rregullisht. Mendoj të përfitoj ca dhe nga rinia e t’i lejoj vetes ndonjë ëmbëlsirë ende. Por mund të them që më pëlqen të konsumoj shumë frytat, ujin dhe sallatat në përditshmërinë time. Edhe këto preferenca kanë bërë të tyren.
Që të jesh e bukur dhe fatale çfarë duhet të zotërosh?
Duket shumë klishe, por sinqerisht është e vërtetë se “zgjuarsia” është arma më e fortë e një vajze të bukur. Kam parë vajza të bukura që kanë hedhur shumë mundësi tutje, dhe tashmë e di se nuk do të mund të jenë kurrkund lart prej një lëvizjeje të gabuar. Gjithashtu dhe vajza mesatarisht të bukura që shkëlqejnë. Idealja dhe më e rralla është zgjuarsi dhe bukuri, ky është kombinim fatal. Është gjithçka si në një lojë shahu. Një torre e zgjuar mund ta hajë një mbretëreshë mendjelehtë.