Miqësorja e preferuar e shqiptarëve, Reja në kërkim të historisë: ndaj Italisë nuk kemi shënuar kurrë
Shqipëri-Itali, një ndeshje që edhe pse është miqësore tërheq interesim të jashtëzakonshëm. Jo rastësisht biletat në Arena Kombëtare janë drejt ezaurimit total dhe pritet një stadium i tejmbushur. Sonte në mbrëmje, në 20.45, kuqezinjtë e Edoardo Reja ëndërrojnë surprizën historike ndaj kampionëve të Europës të Roberto Mancini. Edhe pa këtë status do të ishte një miqësore e dëshiruar prej gjithnjë, por është tjetër gjë të presësh në shtëpi fituesit e Europianit, të plagosur nga përjashtimi në Botëror.
Mancini teston një ndërthurje elementësh: ata të eksperiencës me ata të rinj. Reja në anën tjetër, kërkon një mbyllje të kontratës zyrtare me një histori të re për të treguar. Asnjëherë më parë nuk kemi, jo vetëm fituar, por as shënuar kundër italianëve. E atëherë me shumë mungesa nga dëmtimet dhe mos lejimi i lojtarëve nga klubet respektive, tekniku është gati ta provojë.
ME BROJËN E E UZUNIN
Në këtë pikë nuk është shumë e vështirë për të bërë zgjedhjet. Gjithnjë duke folur për titullarët. Ashtu siç e konfirmoi edhe në konferencën për shtyp, Reja nuk ndryshon modul për Italinë e do të luajë me skemën 3-5-2. Të njëjtën që preferon edhe Mancini në krahun tjetër. Në portë është vendosur Etrit Berisha, kapiteni i konfirmuar nga dalja në konferencën zyrtare për shtyp. Përpara tij në repartin e mbrojtjes do të vendosen Ismajli, Kumbulla dhe Mihaj. Gjimshiti nuk u lejua nga Atalanta. Ndërsa krahët do t’i mbulojnë Elseid Hysaj dhe Ermir Lenjani. 77 vjecari është i tentuar të mbajë fillimisht në pankinë Kristjan Asllanin. Nga minuta e parë janë favoritë për tu nisur Keidi Bare, Amir Abrashi dhe Nedim Bajrami. Ramadani duhet të presë shansin e tij në pankinë, ndërsa sulmi është i ditur. Broja do të udhëheqë ofensivën i mbështetur nga Uzuni. Sulmuesi beratas është ai më në formë i kuqezinjve, por mund të vuajë lodhjen e ndeshjeve me Granada.
SITUATA BRENDA GRUPIT
Ndërkohë nga grupi i thirrur, Kristal Abazaj duket se nuk ia ka dalë që të jetë i gatshëm për duelin e parë. Kombëtarja është plotësuar edhe me pjesën tjetër të lojtarëve, të cilët kishin munguar për shkak të impenjimeve me klubet e tyre dhe gjatë pasdites së djeshme, trajneri ka mundur që të zhvillojë me ekipin një seancë stërvitore për të përgatitur taktikisht duelin ndaj të kaltërve.
PRECEDENTËT
Asnjë fitore e asnjë gol i shënuar në tre përballje. Italia ka përfaqësuar gjithnjë “Goliathin” në raport me Shqipërinë, por kuqezinjtë nuk kanë bërë dot asnjëherë “Davidin”. Sfida e parë historike, ishte një miqësore, si ajo sonte. Në 18 nëntor 2014 në Genoa italianët e Antonio Conte u imponuan 1-0 me golin e Okaka. Tre vjet më vonë, kombëtaret u shortuan në të njëjtin grup për eleminatoret e Botërorit 2018. 2-0 në Palermo për të besuarit e Venturës ndaj kuqezinjve të Panucci dhe 0-1 në kthim.
18 Nov 2014 Italy v Albania W 1-0 Friendly
24 Mar 2017 Italy v Albania W 2-0 FIFA World Cup
09 Oct 2017 Albania v Italy W 0-1 FIFA World Cup