Miqësia me kunatën riktheu këngëtaren tek ish-burri pas një viti ndarjeje, si arriti Alida Duka të bindte Stinen për Gracielën
Ndarja e tyre zgjati një vit. Ashtu siç ndodhi që kantautori Ernest Duka (Stine) e deklaroi ndarjen nga partnerja këngëtare Graciela në prag të Vitit të Ri 2018, po ashtu deklaroi ribashkimin në prag të Vitit të Ri 2019.
Prindërit e një vajze, Estias, për një vit qëndruan të ndarë, për t’u rikthyer në sajë të këmbënguljes së Alida Dukës, motrës së Stines. Për muaj me radhë, Graciela arriti të mbante miqësi të fortë me ish-kunatën, e cila gjatë kësaj periudhe bëri të pamundurën ta ribashkonte çiftin, të cilët sipas saj duhet ta rishikonin edhe një herë vendimin, pasi tashmë janë edhe prindër.
Madje, në një intervistë për “Panorama Plus”, kur u pyet se si u ndje kur në atmosferën e Vitit të Ri, vëllai i saj Stine dha lajmin se ishte ndarë nga partnerja me të cilën ka një vajzë, Alida u përgjigj: “Me Nestin kemi qenë që fëmijë shumë të lidhur me njëritjetrin. E pavarësisht se jeta na ndau të zgjedhim drejtime të ndryshme për të jetuar, e kemi akoma atë lidhjen si atëherë. Normal që nuk na erdhi mirë, por gjithsesi, secili e di vetë se si do veprojë për jetën e tij. Tashmë jemi mbi 30 dhe nuk përzihemi për çështje private. Mund të them se këmbejmë mendime dhe kjo po, është shumë e rëndësishme. Për mua dashuria është fat, po në fund të fundit është gjithmonë njësoj. Nuk përfundojmë kurrë me atë që duam, pasi të tjerë duam e me të tjerë përfundojmë.”
Por e vërteta është që Graciela e ruajti miqësinë me kunatën edhe pas ndarjes, madje dy ish-kunatat shkëmbenin komente plot dashuri në rrjetet sociale. Burime pranë familjes Duka treguan se Alida ka bërë të pamundurën që ta rikthejë vëllanë tek ish-i, duke e konsideruar si partneren e duhur të tij, për faktin se edhe ajo është pjesë e muzikës. Ata të tre tashmë janë kthyer në një skuadër që ndihmojnë njëri-tjetrin në muzikë, madje dhe koncertet i japin tashmë të tre, ashtu siç shihet në posterat që postojnë në rrjetet e sociale.
Flitet madje se Stine po e menaxhon fuqishëm Gracielën që ta fusë në tregun e muzikës, disa vite pasi ata punojnë bashkë për vijat melodike apo hedhjen e zërave në studion e tij. E për lidhjen e tyre, ndarjen dhe ribashkimin, ata folën në programin “Shiko kush luan”, kjo falë lojërave argëtuese që u zhvilluan në studio. Loja me tabela i vuri Stinen dhe Gracielën përballë pyetjeve që zbuluan diçka më shumë për publikun. Vendimin për t’u ndarë dhe atë për t’u ribashkuar e morën të dy, pasi si Stine ashtu dhe Graciela ngritën tabelat kur këto pyetje u bënë.
Graciela rezultoi të ishte më xheloze në lidhje, ndërsa po kjo e fundit është ajo që do më shumë vjehrrën. Siç dihet, çifti janë prindër të një vajze të quajtur Estia, e cila sipas tyre i ngjason Stines në pamje. Babi Stine dëshiron që vajza e tij të bëhet çfarë të dojë kur të rritet, përfshirë këtu edhe këngëtaren. Të dy ranë dakord se e duan marrëzisht njëri-tjetrin, edhe pse zihen dhe e kanë tmerr kur i komentonin: “Po ju sikur u ndatë një herë?”
Kujtojmë që Stine dhe partnerja e tij Graciela i dhanë fund marrëdhënies së tyre disavjeçare. Megjithëse postimet e këngëtarit të njohur dhe të partneres së tij kanë qenë mjaft të kufizuara, diçka për raportin e tyre e zbuloi pak kohë para deklarimit pikërisht Alida, motra e Stines, ndërsa ishte e ftuar në “Zonë e lirë” në “TV Klan”. Ajo tha se Stine dhe Graciela nuk jetojnë bashkë, por janë shumë të lumtur që kanë një vajzë si Estia e bukur.
Pas kësaj deklarate, Stine mori vetë guximin për të pranuar lajmin e shumëpërfolur. Me një foto të ish-partneres në “Instagram”-in e tij, këngëtari shkruante: “Edhe pse fundvit, gjej lartësinë shpirtërore për të falënderuar çdo moment të bukur dhe të vështirë të kaluar së bashku. Kam bindjen e plotë se do të funksionojmë më mirë pa njëri-tjetrin. E kemi pasur fatin dhe mundësinë me mijëra herë për të kaluar barrierat e jetës, por ndonjëherë gjërat nuk shkojnë ashtu siç ne i mendojmë. Kështu që, nuk mbetet tjetër veçse të të uroj çdo të mirë të mundshme tani e tutje!”
Asgjë nuk mbetej më për të thënë pas kësaj, ndërsa fansat e përgëzuan Stinen për këtë mënyrë që zgjodhi për ta deklaruar ndarjen. Dhe siç e pamë, ndarja nuk zgjati shumë, pasi ata i janë rikthyer jetës në çift në vilën e tyre në periferi të Tiranës. /Panoramaplus.al