Mimoza Dino tregon si u bë gruaja e Robert Aliajt: Kalova para ateliesë së tij si delja në gojën e ujkut…

Të thellë në mendime dhe vizionarë e largpamës. Janë prindër të djalit Krist dhe vajzës Gala, dy fëmijët që për Mimoza Dinon supermacinë mbi ta e ka vendosur me zellin e prindit mega të përkushtuar, Robert Aliaj. Burrë e grua me mendje e profesione të lira kanë pasur fatin të kenë qenë shumë pranë fëmijëve të tyre, duke shijuar në maksimum jetën si familje kompakte në Bruksel. Këtë sezon televiziv artistin kontravers e shohin në Tiranë, të hënave mbrëma në panelin e spektaklit të kërcimit “Dance with me”, ku shpesh konfliktohet me personazhet e njohura, si i vetmi kundër të gjithëve. Por kush është gruaja e veçantë që ndan jetën dhe mendimet me Bertin, si u dashuruan ata vite më parë, dhe si sillet në familje në jetën e përditshme një burrë si Bert Aliaj, i rrëfen për revistën “Story” gruaja e tij e veçantë po sa ai, Mimoza Dino.

Nga pozitat e anëtarit të jurisë së “Dancë with me”, Bert Aliaj shpesh ngre zërin për probleme që shqetësojnë ekzistencën e etij si njeri dhe si shqiptar i botës. Si një shpirt rebel që është të ka ndodhur që t’i thuash: “Mjaft, e teprove”?
Berti me guximin e tij qytetar dhe artistik ka eksploruar tema dhe problematika, që dhe unë si bashkëshortja e tij jam konfrontuar me to ndonjëherë me një lloj shqetësimi. Edhe mua më janë dukur qëndrimet e tij eksesive, do të thosha, si në rastin e paraqitjes së projektit të flamurit të destrukturuar. Në imagjinatën time dhe të të gjithëve besoj si shqiptarë, ky është një simbol historik i një kombi. Ky është sensacioni i parë, por kur hyn më thellë dhe analizon pikënisjen dhe tragetin, ku do të arrijë nëpërmjet paraqitjes se destrukturuar të flamurit, atëherë nuk shokohesh, por kupton që është një konstatim i një simboli të deformuar prej një shekulli nga politikat destruktive klanore. Do tëcitoja këtu thënien e Picassos: “Arti është një gënjeshtër, që na bën të zbulojmë të vërtetën”.
Je penduar ndonjëherë që je martuar me një artist antikonformist si Berti? Pra mund të rendisësh avantazhet e disavantazhet e burri jo të zakonshëm në krah?
Po të kisha qenë edhe njëherë vajzë e re do të kisha bërë po të njëjtën zgjedhje. Që jeta jote njeh amplituda të ndryshme, nuk është asnjëherë e njëtrajtshme, por me të papritura dhe sfida të vazhdueshme. Dhe që hmm! I mungon sensi praktik i zgjidhjes se problemeve afatshkurtra. Është shumë dominant, kur është ai aty, ne bëhemi pa dashur satelitë të tij, vërtitemi vetëm rreth orbitës së tij.
Është Berti i joshur pas luksit, apo është artisti që u jep rëndësi vlerave shpirtërore në këtë botë konsumizmi?
Për faktin që s’është aspak materialist, shpesh bie ndesh me trillet dhe tendencat tona për luks, këtu mund të kalojmë dhe në grindje. Por sensi i tij i thellë për të relativizuar është paradigmatik. Për të kënaqësia dhe lumturia krijohen vetë. Dhe ruajtja e një balance qoftë në marrëdhëniet shoqërore, por dhe familjare janë specialiteti i tij. Edhe kur nuk është aty, impakti i tij është i fortë, ai lë pas aurën e tij të fuqishme… Filozofia e tij nuk është të vishet shtrenjtë, por me fantazinë e tij di të krijoje stilin e tij, edhe pse mund të dalë “off stream”, ai krijon vetë një qëndrim estetik dhe një allure që i përshtatet shijeve, formimit dhe personalitetit të tij.
Çfarë nuk do të doje të ndryshonte asnjë presje në sjelljen e Bertit si partner jete?
E adhuroj tek Berti vërtetësinë, integritetin, milintantizmin, forcën dhe kurajon për të dëshmuar të vërtetën, origjinalitetin dhe të guxuarit e të qenit të vetvetes. Dua të mbetet ai që është, me thellësinë e mendimit dhe të ndjenjave, me vështrimin vizionar e shumë të mprehtë mbi botën. Hmm, dhe dua të vazhdojë të më flirtojë si gjithmonë!
Ç’të mërzit apo të lodh tek ai?
Ato që nuk më pëlqejnë mua te Berti janë gjëra të karakterit praktik, për shembul që të mos e banalizoj, që harron të nxjerrë thasët e mbeturinave në ditën e duhur, ose harron të gatuajë nëse është në shtëpi, dhe unë në punë. Ndonjëherë shkëputja e tij nga realiteti, ëndërrimi dhe mungesa e sensit praktik në zgjidhjen problemeve që ofron jeta e përditshme. Këtu po gjykoj si një grua pretencioze dhe perfeksioniste që kërkon që çdo gjë të kryhet me efikasitet dhe në kohën e duhur.
Keni një jetë bashkë por ç’kujton nga fillimi i njohjes suaj, dhe si e mbani gjallë pasionin?
Njohja jonë ishte një romancë e vërtetë. Rastësisht kalova para ateliesë së tij, tamam si delja në gojën e ujkut. Ai më spontanitetin dhe nonchalancën e tij tipike me drejtoi vetëm tre pyetje: Je e martuar, je e fejuar, ke dikë? Përgjigjja ime ishte “jo”. “Që nga ky moment nuk del më nga studioja ime” -më tha. Unë u shokova nga forca dhe besimi i tij. Dhe kështu ndodhi.
Kur e sheh Bertin në ekran duket si ai djali i përjetshëm që e ka pasur jetën vaj, në kuptimin që asnjëherë jeta nuk e ka vendosur përpara sprovave të vështira. Mund të na tregosh ndonjë moment që dëshmon vlerën e tij shpirtërore?
Një detaj tjetër nuk mund ta harroj është kur me tha se i kam ndenjur buzë shtratit nënës sime, dhe i kam shërbyer 6 vjet. U emocionova, dhe sot përlotem, kur mendoj që një djalë i ri plot afshe dhe aspirata rinore privoi jetën prej një të riu për t’i shërbyer nënës së tij në shtratin e vdekjes. Kjo është një vlerë shpirtërore e patjetërsueshme, përpiqem këtë vlerë të qenësishme njerëzore: kujdesin dhe vëmendjen për prindërit tanë, për brezin që na edukoi, t’ja u transmetojmë edhe fëmijëve tanë. Kujtoj gjithashtu gjithmonë kujdesin dhe vëmendjen e tij për mua dhe fëmijët, deri në dhembshuri dhe addiction.
Meqë jemi tek fëmijët, të ngjajnë ty më shumë apo Bertit?
Çuditërisht fëmijët Gala dhe Kristi i ngjajnë shumë Bertit. Duket gjenet e tij kane qenë dominante. Gala mund të them është versioni femëror i Bertit, dhe Kristi sozija e tij, ndërkohë që nuk banon më me ne, por me shoqen e tij.
Kur dhe cila ka qenë puna jote në televizion?
Kam dhe unë një të kaluar të lidhur ngushtë me ekranin, pasi kam qenë spikere në RTSH gjatë viteve ‘80- ’90-të. Drejtoja një cikël emisionesh për fëmijë, dhe më vonë kalova në studion e programeve për rininë, pasi për shumë vjet rresht kam qenë moderatore e emisionit për rininë në RTSH. Paralelisht gjatë kësaj periudhe kam punuar si redaktore pranë Shtëpisë Botuese “8 Nëntori”. Karriera ime në RTSH u ndërpre, pasi kur u njoha me Robertin vendosëm të largoheshim nga Shqipëria në fillim të vitit ’91, për t’u instaluar në Greqi. Mbas disa vjetësh e lamë Greqinë për të ardhur e jetuar në Bruksel, pasi evoluimi, kërkesat dhe nevoja e Robertit për t’u shprehur me mjete me bashkëkohore në art, i kapërcyen kufijtë e eksplorimit artistik në Greqi.
Profesioni yt bazë që e ushtrove sapo mbërritët në Bruksel?
Unë jam filologe në profesion. Zotëroj disa gjuhë, si; frëngjisht, hollandisht dhe greqisht, sigurisht edhe anglisht që është standard për të gjithë. Por frëngjishtja dhe hollandishtja janë gjuhët e profesionit që ushtroj në Bruksel qysh prej 17 vjetësh. Pra, kjo përkon me muajt e parë të mbërritjes sonë në Belgjikë. Tashmë kam krijuar agjencinë time të përkthimeve “MIDITRANSLATIONS”, prej 10 vjetësh.
Dhe cili është specialiteti yt si përkthyese?
Specialiteti im janë përkthimet nga disa kombinime gjuhësh në fushën legale të së drejtës penale, dhe të së drejtës së të huajve. Për këtë arsye puna ime ka pasur gjithmonë lidhje të ngushtë me mbrojtjen e të drejtave të njeriut, të mbrojtjes së të drejtës së të huajve dhe të emigracionit, dhe në lidhje me problematikat sociale dhe të integrimit të emigrantëve këtu. Përveç kësaj, një porcion i mirë i aktivitetit tim si përkthyese është bashkëpunimi në fushën e përkthimeve me disa projekte të BE-së për politikën regjionale të Komisionit Europian në Ballkan.
Si njohëse e disa gjuhëve ka ndodhur që të ka tërhequr pas vetes bota e letrave?
Po. Krahas punës profesionale gjithmonë më ka fasinuar bota e artit dhe bota letrare. Pasioni im është dhe përkthimi letrar. Kam përkthyer disa libra nga greqishtja, kam botuar dy libra të autorit grek Niko Kazanzaqi. Tani ndodhet në process botimi përkthimi nga flamishtja i një libri të një autori flamand. Ndërkohë jam në proces pune dhe për përkthimin nga frëngjishtja të një libri të një autoreje të njohur franceze.
Roberti në botën e ngjyrave dhe ti në artin e fjalës, si ka ndikuar kjo në jetën tuaj çift?
E thënë figurativisht, Roberti me artin e ngjyrave dhe unë me artin e fjalës e kemi krijuar dhe kultivuar këtë tandem artistik kreativ qysh prej orëve të para të njohjes e deri tani që jemi një çift i maturuar, duke shkëmbyer energjinë dhe idetë krijuese, dhe duke mbështetur njëri-tjetrin në çdo moment krijimtarie.