Messi e Ronaldo ‘shah’ në Arabinë Saudite: lajmi i bujshëm përcakton edhe skuadrën e argjentinasit

Transferimi i Cristiano Ronaldo në Arabinë Saudite vazhdon t’i bëjë njerëzit të flasin. Të shumtë janë ata që nuk mund ta konceptojnë idenë se një fitues 5 herë i Topit të Artë, edhe në atë moshë, të vendosë të largohet nga futbolli europian. Vetëm se ndoshta askush nuk e llogarit dot presionin e një oferte ekonomike marramendëse. Në fund, CR7 shkoi në Arabi dhe brenda pak ditësh do të bëjë debutimin me Al-Nassr. Vetëm se kjo lëvizje ndoshta nuk do të thotë fundi i rivalitetit me Messi? Sipas një lajmi të fundit Pleshti së shpejti mund t’i bashkohet portugezit në Riad, për një derbi mes fenomenësh.

Këtë lajm të bujshëm e nisi Nasser Al-Attiyah, një pilot i famshëm nga Katari që fitoi 4 herë Paris-Dakar. Ai ndër të tjera është edhe sheik dhe kushëri i pronarit të Paris Saint Germain Al-Khelaifi: “Faleminderit Al- Nassr, që firmosi me Cristiano Ronaldo për një shumë të çmendur – tha ai në një intervistë për Mundo Deportivo –. Leo Messi gjithashtu do të nënshkruajë për një klub nga Arabia Saudite pas disa muajsh. Unë jam i sigurt për këtë. Mund të them edhe me cilin ekip do të nënshkruajë…”, deklaroi ai duke treguar besim të madh.

DERBI I RIADIT?

Al-Attiyah është i bindur se edhe ai e di se për cilin ekip do të luajë kampioni i ri i botës: “Jam i sigurt se do të luajë për Al-Hilal”. Nuk dihet se kush është burimi i pilotit katariot. Megjithëse ai dëshiron të sqarojë se “është ndjesia ime sepse të gjithë po shtyjnë që Arabia Saudite të presë Kupën e Botës në vitin 2030. Mendoj se atyre u duhen emra të mëdhenj në kampionatin e tyre për të tërhequr njerëzit dhe të përmirësojnë futbollin e tyre në funksion të Botërorit”.

A do të dalë e vërtetë “ndjesia” e Al-Attiyah? Për momentin shanset për një transferim të Messi, në Arabi, duket të jenë zero. Por e njëjta gjë thuhej edhe për Ronaldon, deri pak muaj më parë…