Mes emocioneve, Gabriel Garko rrëfen se është gay
Gjatë episodit të djeshëm të “Big Brother VIP” në Itali (Grande Fratello VIP), si i ftuar special, aktori Gabriel Garko zbuloi – pa qenë nevoja të flasë në mënyrë të drejtpërdrejtë – se është homoseksual. Gabriel realizoi një takim me aktoren Adua Del Vesco, me të cilën ka pasur një fejesë (false) nga viti 2015 deri në vitin 2018. Përmes një letre të shkruar për Adua-n, ai zbuloi disa detaje të marrëdhënies së tyre.
“Të kam shkruar një letër dhe dua ta lexoj. Adua, Rosalinda [emri i vërtetë i Adua-s], ti kurrë nuk më ke thirrur Dario [emri i vërtetë i Gabriel Garko-s] apo jo? Një djalë që e fshiva, e vrava dhe dua ta kthej në jetë. E di që këto gjëra që do të them do të vijnë si surprizë për ty, jo sepse ti nuk e di, por sepse nuk e di që do t’i them këtu.”
Moderatori Alfonso Signorini ndërhyri duke e pyetur Garko-n se çfarë nënkupton sekreti i Pulcinella-s.
“Ah, çfarë kam për t’ju shpjeguar? Nuk është vendi i duhur,” tha ai duke shtuar më pas, “Nuk mendoj se ka nevojë për shumë shpjegime. Jemi në 2020-n.”
Gabriel Garko, emri i vërtetë i të cilët është Dario Oliver, ka punuar si model, por më tepër famë fitoi përmes aktrimit. Ai nisi aktrimin në fund të viteve ’90, por kulmin e pati në serialin dramatik “L’onore e il rispetto”, përmes të cilit u bë i njohur edhe për publikun shqiptar në rolin e kreut të mafias, Tonio Fortebracci.