Merret vendimi, shtyhet ceremonia e çmimeve Grammy!
Ceremonia e çmimeve Grammy, e cila ishte njoftuar se do të organizohej në 31 janar, është shtyrë për shkak të pandemisë së Covid-19. Burime të ndryshme për “Rolling Stone” e konfirmojnë lajmin, ndërsa organizatorët nuk kanë bërë me dije asnjë datë të re, megjithatë besohet se do të mbahet në muajin mars.
“Grammy 2021” ishte planifikuar të bëhej si një shfaqje e limituar, e njejtë me ceremonitë e tjera të ndarjes së çmimeve që janë mbajtur gjatë kësaj periudhe, ku nuk do të kishte publik prezent, ndërsa vetëm prezantuesit dhe performuesit do të lejoheshin në skenë. Madje as artistët e nominuar nuk do të ishin të pranishëm fizikisht dhe do t’i pranonin trofetë e fituar online.
Nominimet për “Grammy 2021” udhëhiqen nga Beyonce, me plot 9 të tilla, ndërkohë që Dua Lipa, Taylor Swift dhe Roddy Rich e ndjekin me 6 secili. Nuk është ende e qartë nëse Travor Noah, i cili ishte prezantuar si moderator i këtij viti, do të jetë ende në këtë rol në shfaqjen tashmë të shtyrë për në pranverë.
Vendimi mund të ketë ardhur si pasojë e përkeqësimit të situatës së pandemisë në Kaliforni, pasi festës së Falenderimeve dhe atyre të fundvitit, ku u regjistrua një rekord prej 74 mijë rastesh të reja ditore në 4 janar. Në spitalet e këtij shteti tashmë nuk ka më vend për të gjithë pacientët që shtrohen dhe ka prej tyre që marrin trajtim në ambulanca, ndërsa po racionohet edhe dhënia e oksigjenit, vetëm tek personat që kanë mundësi për të mbijetuar.
/News31