Meloni mashtrohet në telefon nga dy humoristë rusë: Ka lodhje për Ukrainën
Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni ka rënë pre e një telefonate shakaje nga dyshja e humoristëve të njohur rusë, Vovan & Lexus. Emrat e tyre janë Vladimir Kuznetsov dhe Alexey Stolyarov, por të afërt me Kremlinin, diskutuan politikën e jashtme të Italisë në telefonatë të rreme që daton më 18 shtator ku ata janë prezantuar si liderë afrikanë.
“Ka shumë lodhje nga të gjitha anët” – tha Meloni për konfliktin në Ukrainë duke shtuar se “po afron momenti kur të gjithë do të kuptojnë se duhet një rrugëdalje”. Regjistrimi i bisedës u postua në platformën online kanadeze Rumble dhe u shpërnda më pas edhe nga agjencia ruse e lajmeve Ria Novosti. Palazzo Chigi shprehu keqardhje që ishte mashtruar nga ata që “u prezantuan si presidenti i Komisionit të Bashkimit Afrikan”.
“Problemi është të gjejmë një rrugëdalje të pranueshme për të dyja palët pa e shkatërruar të drejtën ndërkombëtare. Kam disa ide se si ta trajtoj këtë situatë, por pres momentin e duhur për t’i vënë ato në tavolinë” – thotë Meloni duke iu përgjigjur pyetjes se çfarë mendonte për konfliktin në Ukrainë edhe në dritën e bisedimeve të zhvilluara me presidentin amerikan Joe Biden.
“Kundërofensiva e Ukrainës nuk po shkon siç pritej”, – thotë Meloni që shton se ajo “nuk e ka ndryshuar fatin e konfliktit”. “Të gjithë e kuptojnë se mund të zgjasë shumë vite nëse nuk përpiqemi të gjejmë një zgjidhje. Ukrainasit, megjithatë po bëjnë atë që duhet të bëjnë, atë që është e drejtë të bëjnë dhe ne po përpiqemi t’i ndihmojmë ata”.
A po shkojnë tani të gjitha paratë e BE-së në Ukrainë? “Ajo që po punoj është të sigurohem që ato të shkojnë edhe në Afrikë”, – nënvizon Meloni.
Një pjesë e bisedës i kushtohet ardhjes së emigrantëve në brigjet italiane. “Evropa ka menduar prej kohësh se mund ta zgjidhë problemin duke e kufizuar në Itali. Ajo që ata nuk kuptojnë është se kjo është e pamundur Dimensioni i këtij fenomeni është i tillë që përfshin jo vetëm BE-në, por për mendimin tim edhe OKB-në. Problemi është që të tjerëve nuk u intereson dhe të gjithë janë dakord që Italia duhet ta zgjidhe vetëm këtë problem. Është një mënyrë budallaqe e të menduarit” – thotë Meloni.
“Situata është pak e komplikuar, është shumë e vështirë për ne ta menaxhojmë. Që nga fillimi i vitit kemi pasur më shumë se 120 mijë njerëz që kanë ardhur kryesisht nga Tunizia. Situata është shumë e vështirë nga çdo këndvështrim: ana humanitare, ana logjistike dhe ajo e sigurisë. Ajo që unë shoh është se ky fluks rrezikon të rritet për shkak të situatës në Afrikë, veçanërisht në Sahel, por edhe problemit të grurit. Ne po punojmë me Bashkimin Evropian për një memorandum me Tunizinë” – thotë kryeministrja e Italisë.
Komikët rusë
Palazzo Chigi shprehu keqardhje për telefonatën e rreme, por tha se pavarësisht përpjekjes për ta bërë atë të thotë fraza “të pakëndshme”, Meloni përsëriti në thelb qëndrimet e qeverisë. Pavarësisht provokimeve, ajo konfirmoi mbështetjen e saj të plotë për Ukrainën dhe politikat italiane për të luftuar emigracionin e paligjshëm. Ka reaguar edhe opozita italiane që e konsideroi të turpshme për Italinë që dy humoristë rusë kanë vënë në lojë kryeministren e vendit. Më herët në rrjetën e këtyre humoristëve kanë rënë edhe krerë të tjerë të qeverive si Angela Merkel, Rexhep Taip Erdogan, Pedro Sanchez, Zoran Zaev, etj. ©LAPSI.al