“Mëkat për pikët e shumta që kemi lënë gjatë kampionatit”, Batha: I prisja kaq gola, tani vijnë…

Nëntë gola. Idriz Batha po shtyn Tiranën drejt kreut. Numri 10 i bardhebluve pranon në një intervistë për “Panorama Sport” se do të luftojnë të ruajnë titullin kampion. E pranon që është rebus dhe në fund do të fitojë më i miri.

Gol, fitore dhe jeni shumë pranë asaj që shpresonit, të ishit në trenin titull…

E rëndësishme është fitorja. Kjo ishte e para. Më kënaq fakti edhe që po shënoj. Ishte një ndeshje shumë e vështirë, por e prisnim që të ishte një sfidë e tillë, sepse edhe Vllaznia ka cilësi. E dinim gjithashtu që do të zgjidhej nga episode të caktuara. Sërish jemi larg asaj që duhet të ishim. Fitoret nga ana tjetër na japin shpresë për vazhdimësinë. Mendoj se jemi në rrugën e duhur që na çdo drejt kreut.

Për çfarë ju vjen keq më shumë gjatë këtij kampionati?

Më shumë se ndeshjet e kaluara më vjen keq që kemi lënë këto javët e fundit katër pikë, por nuk kemi çfarë të bëjmë. Gjërat e vdekura nuk i kthejmë dot më. Po t’u hyjmë ndeshjeve një nga një, kemi lënë shumë pikë rrugës. E përsëris, nuk kemi çfarë të bëjmë. Tani duhet të jemi të përqendruar dhe të fitojmë në ndeshjet e mbetura. Përderisa kemi mundësi, nuk do të dorëzohemi asnjëherë dhe do të shohim në fund.

Dy ndeshjet e radhës duken të lehta në letër?

Nuk ka ndeshje të lehta. Absolutisht jo. Pikërisht ndaj ekipeve të lehta i kemi lënë pikët. Janë dy finale për ne. Janë kundërshtarë shumë të fortë. Duan respekt dhe vlerësim maksimal.

E besonit se do të ishit golashënuesi i skuadrës. Ju vjet keni shënuar në këto nivele?

Pak a shumë e prisja të isha në këto nivele loje. Unë këto cilësi kam. Mund ta godas në çdo pozicion portën. Gjithsesi, golat ndonjëherë janë edhe pjesë e fatit.

Cili nga kundërshtarët është më i rrezikshëm për kreun?

Të gjithë bashkë. Ata që janë para nesh dhe që kanë më shumë pikë. Jemi në të njëjtin nivel, përfshirë edhe ne. Të gjithë janë pretendentë për kreun. Jo vetëm unë, por shumica e lojtarëve dhe trajnerëve janë të bindur se ky është një kampionat i çuditshëm. Tabela e renditjes ndryshon çdo javë dhe ky është niveli i futbollit tonë.

PANORAMASPORT.AL