Mediat pro qeveritare serbe kundër Armando Brojës dhe pronarit të ri serb të Southampton
Gazetat pro qeveritare serbe kritikuan pronarin e ri serb të ekipit anglez të Southampton Dragan Šolak sepse “lejoi” lojtarin shqiptar të këtij ekipi Armando Broja të bëntë simbolin e flamurit me duar pas golit të realizuar ndaj Brentford dy ditë më parë.
“Kur shqiptari shënoi një gol, ai e festoi me duar duke bërë shqiponjën dykrenore, simbolin famëkeq të “Shqipërisë së Madhe”, që futbollistët shqiptarë e praktikojnë prej shumë vitesh! Në minutën e 49-të, sulmuesi 20-vjeçar i Southampton shënoi për skuadrën e tij dhe vrapoi nëpër fushë me duar të kryqëzuara dhe shumë shpejt në ekran u shfaq pronari serb i “United Media”, i cili përshëndeti këtë gjest “jo sportiv” të të riut Broja me. duartrokitje ekstatike. Sholak, i ftohtë, përshëndeti simbolin e “Shqipërisë së Madhe”!” thekson gazeta serbe Republika e cila sulmon miliarderin serb që e lejoi këtë akt.
Për ta mbështetur këtë qëndrim, gazeta Republika e Beogradit citoi edhe deputeten e Partisë Progresive Serbe Sandra Božić, parti kjo e presidentit Vuçiç e cila shprehej për mediat vendase se nuk është për t’u habitur që Dragan Šolak shfaqej i gëzuar duke duartrokitur futbollistin shqiptar pasi bënte me duar “shenjën famëkeqe të shqiponjës”. Duke shfrytëzuar këtë mundësi, ajo gjeti rastin të kritikojë edhe liderin e partisë opozitare, Partisë Demokratike, Dragan Djilas si njeriu më i afërt i biznesmenit serb. “Besoj se po aq entuziast është edhe Djilas.
Është e qartë se kjo dyshe manjatësh Sholak-Djilas është në të njëjtën linjë ideologjike dhe fitimprurëse me të gjithë armiqtë e Serbisë dhe se ata janë të bashkuar në sipërmarrjene tyre për të shkatërruar vendin tonë së bashku dhe se janë marrë vesh për çmimin e krahinës sonë jugore (Kosovës) shumë kohë më parë. Qytetarët, jam e sigurt se e shohin të gjithë këtë shumë qartë dhe kurrë nuk do të lejojnë dy hajdutë dhe përfitues të vendosin për fatin e Serbisë” deklaroi Božić për mediat në Beograd.
Ndërkohë një ish futbollist serb i Southampton i quajtur Ivan Golac deklaroi për mediat pro qeveritare serbe se në të kaluarën sjelljet josportive dikur dënoheshin rëndë dhe se shfaqje të tilla të disa “atletëve” nuk duheshin mbështetur dhe inkurajuar në asnjë mënyrë. Kritikat e mediave serbe ndaj Brojës për gjestin e flamurit kombëtar bëhen teksa po të njëjtat media i kanë dalë në mbrojtje tenistit të tyre Djokovic i cili ka thyer të gjithë rregullat e vendosura nga Australia kunder Covid 19.