Me syze optike që në moshën 3-vjeçare, Nevina Shtylla tregon arsyen pse nuk i mban në ekran

Ditën e djeshme, Nevina Shtylla zbuloi gjatë bashkëbisedimit virtual që bëri me ndjekësit se ka mbajtur syze optike që në moshën 3-vjeçare.

Në postimet e fundit që moderatorja ka bërë në Instagram, është shfaqur me syze e për këtë arsye edhe ndjekësit e kanë pyetur nëse i ka me numër apo janë thjesht qetësuese.

Mirëpo, adoleshentët shpesh i etiketojnë shokët apo shoqet e tyre si “qorre”, prandaj një ndjekëse i shkruajti aktores: “Epo kur ka dhe Nevina Shtylla syze, ju lutem mos më shani për qorre”.

Pasi e ka parë këtë mesazh, Nevina vendosi të tregojë se edhe ajo vetë është bullizuar për këtë gjë.

“Unë kam që 3 vjeç me syze. Aq shumë më kanë sharë qorre sa një periudhë m’u bë si ‘alarm’, plaste sherri në sekondë.

Nuk është se më shanin në aspektin estetik, por mundoheshin të më bënin të ndihesha keq që kisha një problem me shikimin.

Kam kaluar edhe fazën e adoleshencës që nuk doja t’i mbaja fare në asnjë moment dhe i hiqja fshehurazi mos më shihnin prindërit. Me përdorimin masiv të teknologjisë, më duket se tani ka më shumë njerëz me syze se pa syze.

Ndaj nuk e përdor më njeri për sharje fjalën qorr, se janë vetë pjesë e klubit ose është një person i afërt i tyre. Kur e provon në kurriz tregohesh më i ndjeshëm ndaj të tjerëve.

Është e vërtetë që tek vetja në pamje më pëlqen më shumë kur nuk i mbaj syzet, ndaj në shumicën e fotove nuk i kam (ose në ndonjë event, nëse s’ju kam folur, tani e dini pse), por nuk e kam aspak kompleks faktin që janë të domosdoshme për mua. Në përditshmëri i mbaj në cdo moment dhe nuk e kam problem”, shkroi moderatorja.

Panorama.al