Më shumë njerëz apo milingona jetojnë në Tokë? Shkencëtarët zbulojnë numrin e tyre
Mbase nuk e kemi pyetur kurrë veten për këtë, por tani që pyetja u bë të gjithë do donim të dinim përgjigjen. Sa milingona ka në tokë? A i ka numëruar njeri? Sipas një artikulli të botuar në “Science Alert” në Tokë janë përafërsisht 20 kuadrilionë milingona, që do të thotë 20 mijë milionë milionë milingona dhe që shkruhet 20.000.000.000.000.000 (20 me 15 zero)
Së bashku të gjitha milingonat e botës përbëjnë rreth 12 milionë tonë karbon të thatë, kjo tejkalon masën e karbonit të krijuar nga gjithë shpendët dhe gjitarëve së bashku dhe po ashtu e barabartë me rreth një të pestën e peshës totale të njerëzve.
“Gjërat e vogla që drejtojnë botën”, i ka quajtur dikur biologu Edward Wilson këto insekte dhe tani mund të themi që ka pasur të drejtë.
Milingonat janë pjesë thelbësore e natyrës. Ato ajrosin tokën, shpërndajnë farat, zbërthejnë materiale organike, krijojnë habitat për kafshët e tjera dhe përbëjnë një pjesë të rëndësishme të zinxhirit ushqimor.
Vlerësimi i numrit të milingonave përbën një bazë të rëndësishme për të monitoruar ndryshimet shqetësuese mjedisore.
Të numërosh milingonat
Ka më shumë se 15.700 lloje dhe nënlloje të emërtuara të milingonave dhe ka ende shumë të tjera të cilat ende nuk janë emërtuar nga shkenca. Shkalla e lartë e organizimit shoqëror të tyre u ka mundësuar që të konolizojnë thuajse të gjitha ekosistemet dhe rajonet e globit.
Duke qenë se milingonat ndodhen kudo, në çdo vend natyralistët u shtynë të kërkonin se sa është numri i tyre i saktë në botë. Hulumtimi përfshiu një analizë të 489 studimeve të popullatave të milingonave të kryera nga shkencëtarë të milingonave nga e gjithë bota. Në hulumtim u përfshinë të gjithë kontinentet dhe habitatet kryesore duke përfshirë pyje, shkretëtirat, kullotat dhe qytetet.
Ata përdorën metoda të standardizuara për mbledhjen dhe numërimin e milingonave. Madje për këtë studim u ndërtuan kurthe e gracka me mbeturina e gjethe, pra siç mund ta marrim me mend nuk ishte një punë e lehtë.
Nga puna kërkimore, hulumtuesit arritën në përfundimin se janë rreth 20 kuadrilionë milingona në Tokë. Kjo shifër rezulton të jetë 20 herë më e lartë se vlerësimet e mëparshme. Gjithashtu ata zbuluan se milingonat nuk shpërndahen në mënyrë të njëtrajtshme në sipërfaqen e tokës.
Dendësia e tyre arrin kulmin në tropikë. Gjithashtu dendësia e tyre është më e madhe në pyje dhe çuditërisht në rajonet e thata, ndërsa më e ulët është në habitatet e krijuara nga njeriu. Megjithatë studiuesit thonë se studimet janë kryer përgjithësisht në sipërfaqe të tokës dhe është e vështirë të dihet numri i tyre nën tokë.
Pse na duhen milingonat
Milingonat na ofrojnë shërbime jetike në ekosistem. Sipas një studimi ato mund të jenë më efektive për të ndihmuar fermerët të prodhojnë ushqim se pesticidet që ata përdorin. Gjithashtu ato kanë ndërveprime të ngushta me organizma të tjerë dhe disa specie nuk mund të jetojnë pa to.
Disa zogj për shembull mbështeten te milingonat për të gjetur prenë e tyre dhe mijëra specie bimore, ushqehen ose strehojnë milingona në mënyrë që ato ti mbrojnë ose t’u shpërndajnë farat. Po ashtu shumë milingona janë grabitqare dhe ndihmojnë duke mbajtur nën kontroll popullatat e insekteve të tjera.
Numërimi dhe monitorimi i milingonave është në interes të gjithë njerëzimi. Shkencëtarët thonë se kjo nuk është një punë e vështirë dhe se të gjithë qytetarët e botës mund të ndihmojnë në këtë çështje./tvklan.al