“Më shpëtoi fati ose Zoti”, Trump flet pas atentatit
Ish-presidenti i SHBA Donald Trump ka thënë se ai “supozohet të jetë i vdekur” pas atentatit të së shtunës mbrëma në një tubim në Pensilvani.
Në një nga intervistat e tij të para që nga incidenti, Trump u tha mediave konservatore amerikane se ndjente se ishte shpëtuar “nga fati ose nga Zoti”.
“Gjëja më e pabesueshme ishte se më ndodhi që jo vetëm të ktheja [kokën time], por edhe të kthehesha në kohën e duhur dhe në masën e duhur”, tha ai, duke shtuar se plumbi që e goditi në vesh mund ta kishte vrarë lehtësisht.
“Supozohet të kem vdekur, nuk duhet të jem këtu,” tha ai.
Nga sulmi mbeti i vrarë një pjesëmarrës në miting, ndërsa dy persona të tjerë u plagosën rëndë. Personi i armatosur, i cili gjithashtu vdiq, është quajtur Thomas Matthew Crooks.
Trump përshkroi momentin kur ngriti sytë nga turma pasi kuptoi se ishte qëlluar.
“Energjia që vinte nga njerëzit atje në atë moment… ata thjesht qëndruan aty. Është e vështirë të përshkruash se si ndihesha, por e dija se bota po shikonte. E dija se historia do ta gjykonte këtë dhe e dija se duhej t’u bëja të ditur se jemi mirë,” i tha ai Washington Examiner.
Teksa përgatitej të hipte në një fluturim për në Konventën e ardhshme Kombëtare Republikane (RNC) në Milwaukee, Wisconsin, ku pritet të konfirmohet si kandidati i partisë për president, Trump tha se tani kishte një “shans për të bashkuar vendin”.
Ai tha se fjalimi i tij tani do të ishte krejtësisht i ndryshëm.
“Po të mos kishte ndodhur [sulmi i së shtunës], ky do të ishte një nga fjalimet më të pabesueshme. Sinqerisht, tani do të jetë një fjalim krejt ndryshe. Është një shans për të bashkuar vendin.”
Më herët, zoti Trump shkroi në platformën e tij të mediave sociale Truth Social se ai kishte ndërmend të vononte udhëtimin e tij në Wisconsin me dy ditë. Por ai shtoi se ai po i qëndronte orarit të tij të parë, pasi: “Unë nuk mund të lejoj një ‘qitës’ ose vrasës të mundshëm, të detyrojë ndryshimin e planit”.
Trump tha se përpjekja për vrasje “ka pasur ndikim” tek ai.
Pak dihet për motivimin e Crooks , atentatorit të mundshëm 20-vjeçar, i cili u qëllua për vdekje nga Shërbimi Sekret në vendngjarje.
FBI ka thënë se ndërsa hetimi i saj sugjeron se Crooks ka vepruar i vetëm, ajo do të vazhdojë të shqyrtojë nëse ai kishte marrë ndihmë.
Spektatori që u vra në sulmin e së shtunës quhej Corey Comperatore, një shef vullnetar zjarrfikës 50-vjeçar, i cili vdiq duke u përpjekur të mbronte familjen e tij.
Në një fjalim televiziv pas sulmit, Presidenti Biden bëri thirrje që “temperatura e politikës” të ulet.
“Ne nuk mund, nuk duhet të shkojmë përsëri në këtë rrugë. Ne e kemi përshkruar atë më parë në historinë tonë,” tha zoti Biden, duke renditur një numër në rritje të akteve të dhunshme politike që kishin ndodhur në SHBA vitet e fundit.
“Në Amerikë ne i zgjidhim dallimet tona në kutinë e votimit,” shtoi ai. “Në kutinë e votimit. Jo me plumba”.
/Pështatur nga BBC, Lapsi.al