“Më pëlqen kur të droguarit vdesin”, ish-skenaristi i “SNL” tërbon fansat e Matthew Perry
Fansat e Matthew Perry janë tërbuar me postimet e një ish-skenaristi të “SNL” i cili tallet me vdekjen e yllit të serialit “Friends”.
Kevin Brennan postoi një lajm për vdekjen e aktorit shoqëruar me shkrimin “I mbytur në xhakuzi. Hahahaha”. Më vonë, ai vijoi me humorin e tij pa kripë për humbjen tragjike duke shtuar: “Mendova se ishte gallatë. Por më pëlqen kur të droguarit vdesin”.
Fansat shpërthyen me kundërpërgjigje neverie dhe përçmimi ndaj prezantuesit të podkastit “Misery Loves Company” për komentet e tij të pamenduara.
“Përkufizimi i një përpjekjeje patetike për të marrë vëmendje. Nuk e dija që ekzistoje deri më sot dhe tani e kuptoj pse”, shkroi dikush. “Çfarë dreqin nuk shkon me ty? Je një njeri dështak dhe patetik”, thuhet në një tjetër koment.
Tëë tjerë e quajtën 63-vjeçarin si “të pështirë” dhe “të neveritshëm” e të tjerë si “aspak interesant”.
“Ndihem keq që të jap vëmendjen për të cilën e bëre këtë. E bukura është se nëse do mbyteshe në një tas me kornfleks, nuk do ishe në faqe të parë. Megjithatë, uroj ta lexoj atë kryelajm”.
Matthew Perry, 54 vjeç, u gjet i mbytur në xhakuzin e tij ditën e shtunë. Autopsia është kryer, por priten ende analizat e toksikologjisë për të përcaktuar shkakun e vdekjes.
Perry ka folur hapur për luftën e tij me alkoolin dhe opioidet dhe ndonëse dukej se nuk posedonte drogëra të paligjshme në momentin e vdekjes, burimet e policisë thanë për “TMZ” se janë gjetur pilula të ndryshme në shtëpinë e tij./tvklan.al