Me fondet e ndihmave të Covid 29-vjeçari ble Lamborghini

Një burrë nga Florida është akuzuar se ka marrë 3.9 milion dollarë në formë huaje nga Programi i Mbrojtjes së Biznesit të Vogël si ndihma për krizën e Covid 19, por në fakt i përdori për të blerë një Lamborghini e disa objekte të tjera luksoze në Miami Beach.

Departamenti amerikan i Drejtësisë njoftoi se ndaj 29-vjeçarit David T. Hines është ngritur akuzë penale. Mësohet se ai kishte kërkuar afërsisht 13,5 milion dollarë kredi në emër të ndërmarrjeve të ndryshme dhe për t`ia arritur kësaj, kishte bërë shumë deklarata të rreme.

Në fund, i ishin miratuar vetëm një pjesë e fondeve te kerkuara. Vetëm disa ditë pas marrjes së fondeve, 29 vjecari kishte blerë një makinë sportive 2020 Lamborghini Hurican.

Paratë i kishte kërkuar me pretendimin se do t`u jepte rrogat punonjësve, por nuk bëri asnjë pagesë të tillë. Hines është arrestuar ndërsa autoritetet sekuestruan Lamborghinin e tij dhe gati 3.4 milionë dollarë, të cilat i kishte ndarë në llogari të ndryshme bankare.