Me flokë të fryrë e fustan të gjatë në pasarelë, aktorja 78-vjeçare ‘lë pas’ modelet

Për Dame Helen Mirren, mosha është thjesht një numër! 78-vjeçarja i ka mahnitur të gjithë me “look-un” e saj në pistën e Javës së Modës në Paris. Aktorja britanike kishte veshur një fustan të gjatë në ngjyrë argjendi të markës franceze L’Oreal dhe flokët e saj të fryrë i jepnin një pamje unike.

Në skenë, iu bashkuan dhe aktoret amerikane Andie MacDowell dhe Elle Fanning. Padyshim, reagimet në rrjetet sociale ishin të shumta.

Disa komentues shkruanin se Helen dukej më mirë se shumë modele të reja, e të tjerë u fokusuan te ecja e Helen me Elle Fanning. Së bashku, dorë për dore ngjasonin me ‘dy perëndesha’.

Kjo nuk është hera e parë që Mirren ka dalë në pasarelë për L’Oreal. Ajo ka qenë e pranishme dhe në shfaqjen e modës pranë kullës Eifel në vitin 2021.

Dame Helen është një nga aktoret më të dashura dhe të njohura në Britaninë e Madhe e më gjerë, pas një karriere rreth 50-vjeçare në skenë dhe ekran. Ajo njihet më së shumti për interpretimet e saj në shfaqjet e Shekspirit dhe në filma si “Mbretëresha” dhe “RED”. Mirren ka marrë dhjetëra çmime dhe është i vetmi person që ka fituar të dyja kurorat e trefishta të aktrimit në Amerikë (Çmimin Academy, Emmy Award dhe Tony Award. ) dhe Britani (Film Bafta, TV Bafta dhe Laurence Olivier Award)./tvklan.al