Me duart në kokë, aleati i Putin në vendin ku iu vra e bija 30-vjeçare

Vajza e ultranacionalistit rus dhe aleatit të Presidentit Vladimir Putin u vra mbrëmjen e së shtunës në një sulm të dyshuar me bombë në makinë. Hetuesit shtetërorë rusë thanë se Darya Dugina, vajza e ideologut Alexander Dugin, u vra pas një shpërthimi të komanduar në makinën Toyota Land Cruiser me të cilën ajo po udhëtonte.

I cituar nga agjencia shtetërore e lajmeve TASS, Andrei Krasnov, i cili e njihte Dugina-n, tha se makina i përkiste babait të saj dhe me gjasë objektiv kishte qenë pikërisht ai.

Babë e bijë kishin marrë pjesë në një festival jashtë Moskës dhe Dugin kishte vendosur të ndërronte makinat në minutën e fundit, raportoi gazeta qeveritare ruse Rossiiskaya Gazeta.

Në pamjet e publikuara nga vendi i ngjarjes pas shpërthimit, Dugin shihet me duart në kokë i tmerruar nga çfarë kishte ndodhur. Sipas asaj që shkruan Sky News, hetuesit në Moskë, që e përshkruan Darya Dugina si gazetare dhe eksperte politike, thanë se kishin nisur hetimet për vrasje. Ata thanë po ashtu se po konsideronin të gjitha versionet, sa i përket personave përgjegjës për krimin.

Mykhailo Podolyak, këshilltar i presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskyy, mohoi që vendi i tij të ketë lidhje me vrasjen. “Ndryshe nga Rusia nuk jemi shtet kriminal dhe padyshim as shtet terrorist”, tha ai për mediat vendase. Podolyak ia vuri gishtin përplasjeve të brendshme për pushtet, mes “mes fraksioneve të ndryshme politike”.

Prej një kohe të gjatë, Dugin ka bërë thirrje për unifikim të territoreve rusisht-folëse, në një perandori të gjerë Ruse. Ai do që kjo perandori të përfshijë Ukrainën, ku aktualisht forcat ruse po ndërmarrin atë që Presidenti Putin e quan një “operacion special ushtarak” për të demilitarizuar vendin. Disa ekspertë rusë e kanë cilësuar influencën e Dugin tek Putin si domethënëse, ndërsa të tjerë kanë argumentuar se është minimale.

Dugin është një prej rusëve të sanksionuar nga SHBA.

Sa i përket vajzës së tij, e cila përveç Dugina mbante edhe mbiemrin Platonova, ajo ishte në të 30-at e saj dhe mbështeste gjerësisht idetë e të atit./tvklan.al