“Më arrestoni në arkivol”, vetëvritet shqiptarja që çoi në pranga 40 mafiozë: Të paktën Adelinat e tjera s’do kenë fatin që kam pasur unë
Në të njëzetat e hershme, me forcën e denoncimit të saj, pas përdhunimit dhe rrahjes, Adelina Sejdini i kishte dhënë një goditje të rëndë mafies shqiptare. Pas denoncimeve të saj, ajo bëri të mundur arrestimin e 40 mafiozëve, të cilët në vitet ‘90 kontrollonin rrjetin e prostitucionit në Itali.
Prej 23 vitesh ajo kishte aplikuar për shtetësinë italiane, duke iu referuar nenit 18 të Kushtetutës që garanton mbrojtjen ndërkombëtare të viktimave të trafikimit të qenieve njerëzore.
Por e lodhur, pas një beteje të gjatë për shkak të të qenët “pa shtetësi”, ajo vendosi të vetëvritej duke u hedhur nga një mbikalim në Romë.
“Stacioni policor i Pavias më ka identifikuar në kartën e identitetit si shtetase shqiptare, por unë e refuzoj.
Më ofruan edhe azil politik, por jam viktimë trafikimi dhe nëse kthehem në Shqipëri, jam grua e vdekur”, deklaroi ajo më 6 nëntor në transmetimin “L’ariache tira”. “Do të më marrin personat që kisha çuar në burg dhe do të më vrasin”, shton ajo.
Shqiptarja 47-vjeçare, e cila mbante emrin Alma, ka lënë një video përpara se të ndërmerrte aktin tragjik, duke u vetëvrarë.
“Unë do të vdes se do të vdes nga kanceri, e di që nuk e kam të gjatë, por të paktën Adelinat e tjera nuk do të kenë fatin që kam pasur unë. Që kur lexova dokumentin kam makth dhe panik. Unë do të pres pak dhe do të shkoj të hidhem nga ura, t’ju vijë turp. Vdekja ime do t’ju mbetet në ndërgjegje”, thotë Adelina në video.
“Në Romë më kanë trajtuar si kriminele e më thanë se nëse brenda mbrëmjes së djeshme nuk largohem nga Roma drejt Pavias, do të më arrestojnë. Hajde të më arrestoni brenda në arkivol. Nëse më ndodh ndonjë gjë mua, faji është i Policisë së Shtetit, i Zyrës së Emigracionit të Pavias, është i atyre që po më trajtojnë si kriminele duke firmosur një letër dëbimi dhe i gjithë atyre që mund të bënin diçka e nuk bënë dot asgjë… do të më kenë në koshiencën e tyre. Do të pres dhe pak e do të hidhem nga ura e parë që do më shfaqet… E bëj që Adelina të tjera mos të jetojnë atë ç’ka më ndodhi mua… T’ju vijë turp. Ky është abuzim detyre. Ju më shfrytëzuat për 20 vite e tani më trajtoni si kriminele”, thotë ajo.