Mbyti gruan dhe më pas i dha fund jetës/ Trupat e dy amerikanëve ende në morg, asnjë familjar nuk është paraqitur

Deri mesditën e të mërkurës së 21 qershorit, asnjë prej anëtarëve të familjeve të dy viktimave që u shënuan në Tiranë përmes një akti të rëndë të shtetasit amerikan Matthew Wertz, që vrau bashkëshorten e më pas veten, nuk është paraqitur për tërheqjen e trupave.

Lajmi konfirmohet nga burime të besueshme pranë grupit hetimor dhe korrespondencat që kanë pasur Ministria e Drejtësisë me Institutin e Mjekësisë Ligjore. Kjo e fundit ndodhet ende ne pritje të nxjerrjes së shkaqeve përfundimtare të vdekjes së çiftit të bashkëshortëve.

Grupi hetimor i ngritur për krimin në familje ka marrë në pyetje kolegët dhe drejtuesit e kolegjit ku punonte Matthew Wertz. Në deklarimet e këtyre të fundit mësohet të kenë thënë se profesori amerikan ishte i qetë dhe nuk ka shfaqur asnjë problematikë për katër vite që ka shërbyer në këtë kolegj apo të ketë ndarë me ta ndonjë shqetësim.

Çifti mësohet se më herët ka jetuar në një banesë që ndodhet tek “Unaza e Re” dhe vetëm prej një muaj ishin zhvendosur në banesën private ne rrugën “Valbona” në Laprakë ku ndodhi ngjarja. Nga fqinjët nuk ka deklarime me vlerë për hetimin pasi nuk kanë pasur shumë komunikim me ta. Ndërkohë, të njohur të Matthew Wertz thonë se në të shkuarën ka pasur probleme me konsumimin e alkoolit dhe depresionin. Në banesë janë rikthyer ekspertët për të gjetur gjurmë të mundshme të tjera përveç atyre të çiftit të bashkëshortëve. Trupat e tyre i janë nënshtruar ekzaminimeve mjeko-ligjore për të përcaktuar shkaqet konkrete të vdekjes, ku paraprakisht dyshohet se burri vrau gruan më pas 2 qentë që mbanin në banesë dhe më pas veten. Trupat vijojnë të qëndrojnë prej ditës së ngjarjes dhe deri më sot në morg.

tpz.al