Mbyllet për publikun dëshmia e Adelina Ismailit dhe motrave të saj në gjykimin ndaj Enver Sekiraqës
Në seancën e së enjtes në Gjykatën Themelore në Prishtinë, trupi gjykues mori vendim që të mbyllet për publikun dëshmia e Adelina, Ema dhe Zanfina Ismailit, në rastin ku Enver Sekiraqa po akuzohet për nxitje në vrasjen e Triumf Rizës.
Propozimin që kjo seancë të mbyllet për publikun, e bëri avokati i tyre, Alban Makolli, pasi të njëjtat pritej të dëshmonin përmes video-lidhjes, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“Të përjashtohet publiku me qëllim të mbrojtjes së integritetit dhe jetës private, personale dhe familjare të këtyre dëshmitareve e në veçanti duke pas për bazë periudhën kohore të kaluar që prej momentit kur dëshmitaret pritet të ofrojnë faktet relevante lidhur me këtë çështje, e që gjatë kësaj periudhe jeta personale dhe familjare e tyre ka ndryshuar dukshëm, shume gjë që e bën të domosdoshëm përjashtimin e publikut“, tha avokati Makolli.
Ky propozim nuk u kundërshtua nga prokurori special Haki Gecaj, as nga i akuzuari Sekiraqa dhe mbrojtësja e tij, avokatja Kosovare Kelmendi.
Më pas, propozimi në fjalë u aprovua nga kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Agim Kuçi.
Paraprakisht, në seancën e sotme prokurori Gecaj ka propozuar që para dëshmitareve Ismajli, të dëgjohet dëshmitari anonim.
“Kemi pas obligim të dhënë nga gjykata që në cilësi të dëshmitarit duhet të ftohet edhe dëshmitari ‘D2’ dhe ne kemi pas problem sigurimin e prezencës së tij dhe më në fund, pas shumë përpjekjeve kemi siguruar prezencën e tij dhe unë propozoj që fillimisht të dëgjohet ky dëshmitar pastaj të vazhdohet me dëshminë e Adelina, Zanfina dhe Ema Ismajli”, tha ai.
Por ky propozim është kundërshtuar nga avokatja Kelmendi, me arsyetimin se e njëjta nuk është përgatitur për dëgjimin e këtij dëshmitari.
“Mbrojtja nuk është përgatitur për dëgjimin e këtij dëshmitari, e unë po besoj edhe trupi gjykues, me që për disa seanca ne jemi në pritje të dëgjimit të tri dëshmitareve, motrat Ismajli, ndërkaq dëshmitari ‘D2’ është i një rëndësie bukur të madhe në këtë proces dhe unë madje mendoj se është një lloj obstruksioni që mbrojtja të vihet në këtë pozitë të pa lakmueshme dhe befasuese duke mos qenë të përgatitur për dëgjimin e këtij dëshmitari”, tha Kelmendi.
E këtë kundërshtim e përkrahi edhe i akuzuari Sekiraqa.
Pas kësaj, trupi gjykues morri vendim me të cilin e caktoi që dëshmia e dëshmitarit ‘D2’ të dëgjohet në seancën e të hënës.
Lidhur me këtë datë, prokurori Gecaj deklaroi se nuk mund të jetë prezent në seancë dhe kërkoi nga gjykata që për çështjen e dëshmitarit ‘D2’ të bisedoj vetëm me trupin gjykues dhe mbrojtjen pa praninë e publikut.
Kjo kërkesë e prokurorit u aprovua nga gjykatësi Kuqi, ku për disa momente publiku u përjashtua deri sa prokurori Gecaj është deklaruar në detaje për propozimin e tij për dëshmitarin ‘D2’.
Pas kthimit të publikut në sallë, prokurori ka kërkuar kohë për të njoftuar dëshmitarin se i njëjti nuk do të dëgjohet në seancën e sotme.