“Mbusheni heshtjen me muzikën tuaj”, Zelensky mban fjalim prekës në “Grammys”: Tregoni historinë tonë
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky mbajti një fjalim emocionues në ceremoninë e Grammy-it për fuqinë e muzikës, teksa u kërkoi artistëve amerikanë të përdorin talentin e tyre për të “treguar të vërtetën” për luftën e Rusisë kundër vendit të tij.
“Luftë. Çfarë është më e kundërt se kjo me muzikën?”, tha presidenti ukrainas gjatë videos së regjistruar në një bunker në Kiev.
Zelensky vazhdoi fjalimin e tij duke bërë thirrje për mbështetje dhe duke treguar se si muzika mund t’i japë fund luftës, “Muzikantët tanë veshin veshje ushtarësh në vend të smokingëve. Ata u këndojnë të plagosurve në spitale. Edhe për ata që nuk i dëgjojnë. Por muzika do të depërtojë. Gjithsesi, ne mbrojmë lirinë. Te jetosh. Të duash. Të këndosh. Në tokën tonë, ne po luftojmë Rusinë, e cila sjell heshtje të tmerrshme me bombat e saj. Heshtja e vdekur. Mbusheni heshtjen me muzikën tuaj. Plotësojeni sot, për të treguar historinë tonë. Na përkrahni në çdo mënyrë që mundeni. Çdo gjë, por jo heshtje. Dhe pastaj do të vijë paqja”.
Presidenti i Ukrainës përfundoi fjalimin e tij duke përmendur disa qytete të Ukrainës,“Chernihiv, Kharkiv, Volnovakhna, Mariupol dhe të tjerët, ato tashmë janë legjenda, por unë kam ëndërr që ata të jetojnë të lirë. Të lirë si ju në skenën e Grammy-t”.