Mbreti i “live-t”/ Eugent Bushpepa do bekojë talentet e “The Voice kids” para Eurovizionit

Një tjetër i ftuar special, që do të ngjitet në skenën e “The Voice Kids” në natën e dytë Live është Eugent Bushpepa, një zë i njohur i skenës në Shqipëri, i cili në vitin 2017 ishte gjithashtu asistent trajner i Skuadrës Besa, në sezonin e 6-të, të “The Voice of Albania”. Një nga këngëtarët mjaft të pëlqyer të “live-t” do të performojë këngën “Mall”, këngë me të cilën ai do të paraqitet në “Eurovision 2018”. Eugenti nisi karrierën e tij televizive në ekranin e “Top Channel” në vitin 2006. Ai pati sukses me këngën e tij të njohur “Maska e Madhështisë” në vitin 2007, gjatë “TOP FEST 4”. Në të njëjtin aktivitet, ai gjithashtu ka marrë pjesë edhe me një bandë rock-u të quajtur Sunrise, me këngën e tyre “Engjëll”. Genti dhe grupi i tij mbështetën “Deep Purple” gjatë koncertit të tyre në Shqipëri, në vitin 2007. Karriera e tij ndërkombëtare u intensifikua më tej, kur e kërkuan të mbështeste bandën e Duff McKagan në turneun e tyre në Tiranë. Në qytetin e Korçës, Eugent Bushpepa performon së bashku me Ron “Bumblefooot” Thal, kitaristin e Guns N ‘Roses. Ai pati pikun e karrierës së tij ndërkombëtare në vitin 2014, kur Eugenti u bashkua me Darkology Band si vokalist në turne. Grupi mbështeti grupin e rrokut “Overkill” në turneun e tyre nëpër Europë të quajtur “Kill Fest 2014”. Por Eugenti nuk do të ndalet, ai shpallet fituesi i Festivalit të 56-të në RTSH dhe do të jetë zëri që do të përfaqësojë Shqipërinë në “Eurovision 2018”që do të zhvillohet në datat 8, 10 dhe 12 Maj në Lisbonë të Portugalisë, shkruan “Top Channel”. Kritikët e muzikës vlerësojnë zërin e tij si shumë të bukur dhe të fuqishëm. Publiku shqiptar e vlerëson Gentin si një ndër artistët më të mirë në vend të muzikës live, të cilët zgjedhin ta dëgjojnë fundjavave teksa performon në baret e kryeqytetit. /Story.al/