Mbreti Charles bën deklaratën e parë, pas diagnostikimit me kancer

Mbreti Charles ka dhënë deklaratën e parë publike, pasi pallati Buckingham bëri me dije se ai është diagnostikuar me kancer.

“Dua të shpreh falenderimet më të përzemërta për kaq shumë mesazhe mbështetjeje dhe urimet e mira që kam marrë gjatë këtyre ditëve. Siç e dinë të gjithë ata që janë prekur nga kanceri, këto mendime dashamirëse janë mbështetja dhe kurajoja më e madhe”, thuhet në deklaratën e publikuar në Instagram.

Më tej, vijon: “Është po aq inkurajuese të dëgjoj se publikimi i diagnozës sime, ka ndihmuar në promovimin e ndërgjegjësimit publik dhe ka ndriçuar punën e organizatave që mbështesin pacientët e sëmurë me kancer dhe familjet e tyre në Mbretërinë e Bashkuar dhe më gjerë nëpër botë. Admirimi im i përjetshëm për kujdesin dhe përkushtimin e tyre të palodhur është edhe më i madh, si rezultat i përvojës sime personale”.

Më 5 shkurt 2024, pallati i Buckingham deklaroi se mbreti Charles III është diagnostikuar me kancer. Deri më tani, nuk dihet lloji i kancerit, por theksohet nuk është kancer në prostatë, pas analizave të kryera. Arsyeja pse Charles zgjodhi ta bëjë publike diagnozën lidhet me ndërgjegjësimin publik dhe shmangien e lajmeve të rreme dhe aludimeve.

Anabelmagazine