Mbretëresha hungareze e bukurisë ra pre e trafikantëve, mes tyre një shqiptar
Gjithnjë e më shumë detaje tronditëse po dalin në dritë për bandën kriminale në Ballkan që joshi fituesen e Miss Universe Hungaria 2021.
Jazmin Viktoria udhëtoi drejt Maqedonisë së Veriut pasi iu premtua një kontratë modelimi, ku do të kryente sesion fotografik.
Viktória tregoi për median hungareze Blikk se si u arratis nga kriminelët që kërcënuan jetën e saj.
“Sipas autoriteteve, jeta ime ishte në rrezik, ata mendojnë se donin të më shisnin te trafikantët e qenieve njerëzore apo organeve”, u shpreh ajo.
Pasi bukuroshja hungareze foli hapur, media kontaktoi me kolegen e saj franceze, me origjinë kroate, e cila po ashtu po priste në Maqedoninë e Veriut për të realizuar fotosesionin e veshjeve.
“Kam qenë në kontakt me Jazmin në telefon gjatë gjithë kohës, kështu që kam ditur për gjërat e çuditshme që kanë ndodhur. Së bashku, menduam se si mund të arratisej nga hoteli. Burri më kërcënoi kur mori vesh se kisha lajmëruar policinë, Interpolin dhe prindërit e Jazmin”, pranoi Valeria Pavelin, e cila thotë se punëdhënësi është trafikant dhe, sipas saj, “s’është maqedonas, por shqiptar”, tha Valeria Pavelin.
Sipas saj, shqiptari organizon sesione fotografish pranë Shqipërisë, sepse është shumë më e lehtë t’i dërgosh vajzat nga atje.
Dyshohet se banda ka disa vite që ushtron këtë aktivitet, duke droguar dhe përdhunuar vajzat.
I akuzuari dyshohet se i prezantohej vajzave me emrin Tom Tomski, pre e të cilit ra edhe një vajzë tjetër hungareze vitin e kaluar.