Mbrëmja magjike e Myrto Uzunit mbyllet me një unazë fejese
Myrto Uzuni dhe Granada e tij sezonin e ardhshëm do të jenë pjesë e elitës spanjolle, LaLiga. Sulmuesi që këtë sezon ishte protagonisti kryesor për Granadën, shënoi edhe në ndeshjen e fundit të kampionatit me Leganes teksa gjeti rrugën e rrjetës në minutën e 42-të të pjesës së parë.
Kështu, përveç ngjitjes një kategori më sipër beratasi u shpall edhe golashënuesi më i mirë i LaLiga2 me 23 gola. Por, mbrëmja speciale për sulmuesin e kombëtares nuk u mbyll me kaq teksa pasi përfundoi ndeshja, Uzuni i propozoi për martesë të dashurës së tij.
Kjo e fundit nuk hezitoi dhe i tha “Po” propozimit të futbollistit duke dhuruar emocione shumë të bukura në fushë. E dashura e Uzunit është Uarda Hyseni. Bukuroshja nuk është e njohur për publikun, por ajo gëzon mjaft famë në rrjetet sociale ku në profilin e saj në Instagram e ndjekin më shumë se 15 mijë followers. 20-vjeçarja bën një jetë mjaft luksoze mes veshjeve mijëra euroshe dhe udhëtimeve te shtrenjta dhe herë pas herë me sulmuesin shqiptar.
Uzuni pritet të luajë edhe për dy ndeshjet e Shqipërisë në muajin qershor të vlefshme për kualifikueset e Euro 2024, ato ndaj Moldavisë (datë 17) dhe Ishujve Faroe (datë 20).