Mbërrin në Tiranë Riccardo Cocciante
Para pak minutash ka mbërritur në Aeroportin e Rinasit, kantautori i njohur Italian, Riccardo Cocciante, shoqëruar nga bashkëshortja, Catherine Cocciante me ftesë të drejtuesve të Radio Televizionit Shqiptar, për natën e çeljes së edicionit të 56-të të Festivalit të Këngës. Në aeroport, artisti i njohur është pritur nga Drejtori i Festivalit të 56-të, z. Martin Leka . Ai ka falënderuar Radio Televizionin Shqiptar për ftesën dhe e ka konsideruar këtë vizitë, përveçse vendosjen e një raporti të ri me publikun shqiptar,edhe një mënyrë, për ta shpërblyer këtë publik për dashurinë që i ka dhuruar atij si artist. Midis të tjerash, ai është shprehur edhe se e konsideron këtë edhe një rast për ta njohur më mirë vendin tone, sidomos pas lidhjes konkrete që u vendos me Elhaida Danin lur ajo fitoi ‘The voice of Italy”. “Ajo e meritoi dhe publiku Italian e deshi. Talenti i saj u evidentua në turin me Notre Dame de Paris në versionin francez. Do ishte mrekulli që në ardhjen time të tretë të sjell muzikalin Notre Dame në Shqipëri”, ka përfunduar ai, sapo ka shkelur në tokën shqiptare. Artisti është ndalur për të drekuar, për të vijuar ndalesën e tij në Tiranë, pasdite me provat në Pallatin e Kongreseve për performancën e tij të mbrëmjes së 21 dhjetorit. Cocciante do të interpretojë një nga hitet e tij më të njohura, si edhe një duet me këngëtaren shqiptare Elhaida Dani, me të cilën shkoi deri në fund të udhës në “Voice of Italy”.