Mbërrin i ftohti ekstrem në Shqipëri, sinoptikanët parashikojnë Vit të Ri me dëborë
Java ka nisur me mot të ftohtë, ndërkohë që sinoptikanët parashikojnë rënie ekstreme të temperaturave, të cilat mund të na shoqërojnë deri në natën e ndërrimit të viteve. “Në vijim, e marta, e mërkura, e enjtja, pritet që të jenë me temperatura tipike të dimrit në zonat malore, ndërsa në zonat e ulëta dhe në bregdet do të sjellin temperatura shumë më të ftohta. Temperaturat edhe në zonat e ulëta dhe në bregdet do të shënojnë edhe -1 e -2, ndërkohë që në zonat malore presim temperatura edhe në –6 apo -7 Gradë Celsius”, është shprehur për “Tv Klan”, sinoptikanja Tanja Porja. Sa i takon reshjeve, ato nuk do të jenë problem. “Zonat qendrore dhe jugore mbeten me vranësira dhe reshje, rrebeshe të shkurtra, të herë pas hershme gjatë ditës së sotme, por edhe pjesën e parë të së hënës. Një kthjellim total i territorit shqiptar pritet ditën e martë dhe në vijim deri të premten të paktën, parashikohet që moti të jetë kryesisht i kthjellët dhe i ftohtë”, u shpreh Porja. Bazuar në parashikimet e sinoptikanëve, reshjet e dëborës mund të jenë prezente edhe në natën e ndërrimit të viteve.