“Mbani frymën miq”, Shakohoxha zbulon arsyen pse hoqi dorë nga gazetaria sportive

Ishte ndeshja gjysmëfinale e Euro 2020, ajo mes Anglisë dhe Danimarkës, kur Dritan Shakohoxha, dha lajmin nga ‘Wembley’, se do të heqë dorë nga gazetaria sportive, një profesion që e ushtron prej më shumë se 30-vjetësh.

Në një kohë kur të gjithë ishin sy e veshë për të mësuar fituesin e mbrëmjes, Shakohoxha bëri një ‘gol’ tjetër duke komentuar ndeshjen.

Largimin përfundimtar nga ky profesion, Shakohoxha e ka përforcuar edhe mbrëmjen e finales së madhe të Euro 2020, mes Italisë dhe Anglisë. Në fund të ndeshjes, ai tha se kjo ishte ndeshja e fundit që ai komentonte, sepse pas 32-vjetësh, vendosi të heqë dorë nga gazetaria sportive.

Por cila është arsyeja për këtë vendim? Dritan Shakohoxha, në lidhjen me programin sportiv në RTSH, nga “Wembli”, ku komentoi edhe finalen e Euro 2020, zbuloi se do të kandidojë në zgjedhjet e vitit të ardhshëm për kryetar të Federatës Shqiptare të Futbollit.

Këtë post, siç dihet, e mban Armando Duka prej 5 mandatesh. Për të qenë i lirë dhe i pakushtëzuar në këtë garë, Shakohoxha ka zgjedhur të heqë dorë nga profesioni dhe të përgatitet për fushatën e fillimvitit të ardhshëm:

“Do lë gazetarinë, por në ambientin e sportit do të jem dhe do të jem gjatë. Çfarë të them më hapur? Do kandidoj për president të FSHF-së. Kam bindjen se do të fitoj”,- tha Shakohoxha.

Në llogarinë e tij në Instagram, Shakohoxha ka postuar edhe dhjetëra mesazhe që kanë i kanë dërguar personazhe të njohur nga fusha e sportit dhe jashtë tij. Një pjesë kanë shprehur keqardhjen për vendimin e tij, por shumë të tjerë, pa dyshim, i kanë uruar suksese në objektivin e tij të ri. / Revista Class