Mbani frymën miq! Komenteve kritike të Elton Dedës s’u shpëton dot as Alban Skënderaj
Pas Aleksandër Gjokës, i cili kritikoi performancën live të Dafina Zeqirit, edhe Elton Deda ka një koment për një koleg, saktësisht, për Alban Skënderajn.
Eltoni ka postuar një video ku shihet në një lokal pranë detit, duke dëgjuar këngën e re të Albanit dhe Dafinës, “E para/I pari” dhe pikërisht te pjesa e Albanit, e cila dëgjohet në sfond, shkruan: “Asnjë llaf s’të mora vesh, përveç xhelozia dhe dashuria”.
Nuk është e para herë që Eltoni ka një kritikë për Albanin. Edhe më parë, kur Albani mbajti koncertin “Hapësira e një ëndrre”, Eltoni reagoi me një status në Facebook, ku shprehu indinjatën e tij, sidomos karshi mediave, të cilat nuk i bënë jehonë koncertit të 3 Musketjerëve në atë periudhë.
“Gjithçka ordinere që ndodh, histori seksi ose njerëz pa asnjë lloj vlere, që bëhen të famshëm brenda ditës, lajme pa kurrëfarë brendie, servilizma për përkrahje politike ose futje hundësh nëpër gjëra private të njerëzve…këto i bëjnë me shumë qejf dhe zell. Por askush nuk foli për koncertin e 3 Musketjerëve dhe as për koncertin e Albanit, për këtë erë të re që po e gëzon qytetin tonë. Askujt nga mediat nuk i intereson kultura dhe gjërat e mira që me aq mundim i bëjmë. Kjo është vërtet për të ardhur keq”, shkroi këngëtari asokohe.
Komenti i Eltonit vjen pas atij të Aleksandër Gjokës, i cili postoi një video të Dafinës në një koncert dhe u shpreh “Hajde live, hajde…Pupu, çfarë turpi. Ec aty, V.I.P”.
Nuk e dimë nëse do të ketë ndonjë reagim nga Albani dhe Dafina, por presim me kërshëri.
Anabelmagazine