Mbajti peng e dhunoi për 1 javë të dashurën në Tiranë, 31-vjeçari dyshonte se ajo e tradhtonte

Një ngjarja sa e rëndë aq edhe e pazakontë u raportua të dielën në Tiranë. Një 28-vjeçare u mbajt peng për gati 1 javë dhe u dhunua nga bashkëjetuesi i saj, 31-vjeçari Gleard Gusholli (Lexo më shumë).

Gazetari Besar Bajraktaraj, në një raportim për ngjarjen mëngjesin e kësaj të hëne, tha se 28-vjeçarja ndodhet aktualisht në spital dhe gjendja saj shëndetësore është e mirë. Gjatë 1 jave, ajo mësohet se kishte marrë plagë të shumta në trup.

Sa i përket të dashurit të saj, Bajraktaraj thotë se 31-vjeçari Gleard Gusholli dyshohet që të gjitha veprimet i ka kryer gjatë kohës që ndodhej nën efektin e lëndëve narkotike, kjo dhe për shkak të drogës që u gjet në banesën ku u mbajt e dhunua 28-vjeçarja.

Dy të rinjtë, sipas gazetarit, ishin në një lidhje prej gati 1 viti dhe bashkëjetonin.

Për rastin në pranga përfunduan edhe 4 persona të tjerë.

Dy prej të cilëve, Bledi Kateshi dhe Erlind Kateshi, akuzohen se ndihmuan autorin të largohej nga vendi i ngjarjes. Ndërsa Arjan Sheta dhe Besmir Nurçellari akuzohen për moskallëzim krimi dhe fshehje të provave.

Po sipas gazetarit Bajraktaraj, policia ka mundur po ashtu të zbardhë të gjithë dinamikën e ngjarjes. 28-vjeçarja dhunohej dhe goditej me sende të forta, mes të cilave me këmbën e një karrigeje, që u sekuestrua në policia.

Ka qenë motra e autorit së bashku me një vajzë tjetër që e çuan fillimisht në ambientet e një klinike private në afërsi të komisariatit numër 2, 28-vjeçaren. Më pas kanë qenë mjekët e klinikës që kanë njoftuar policinë.

E teksa motra e autorit çoi të rënë për ndihmë mjekësore, bashkëshorti i saj e ndihmoi të arratisej, duke u bërë kështu bashkëpunëtor në krim.

Deri më tani, dyshohet se shkak për ngjarjen e rëndë u bë xhelozia. Sipas asaj që mëson Bajraktaraj, në deklarimet e para që ka dhënë para hetuesve, 31-vjeçari Gusholli ka thënë se dhunën e ka ushtruar pasi dyshonte se e reja e tradhtonte./tvklan.al