Mashtrimi përmes ‘Facebook’, arrestohet 29-vjeçari. Shikoni si ndërhynte në llogaritë në rrjete sociale dhe…
Policia e Tiranës ka vënë në pranga një djalë të ri, për të cilin gjykata ka vendosur masën e sigurisë arrest me burg, pasi akuzohet se në bashkëpunim me persona të tjerë, kanë mashtruar qytetarë të ndryshëm duke u marrë shuma të mëdha parash.
Në kuadër të operacionit të koduar “Transferta”, nga shërbimet e Policisë të Komisariatit Nr. 4, në bashkëpunim me Seksionin e Krimit Kompjuterik u bë kapja dhe u ekzekutua urdhri i prokurorit për shtetasin në kërkim Sh. B., 29 vjeç, banues në Tiranë.
Ndaj tij, Gjykata e Apelit Tiranë ka vendosur ndryshimin e vendimit penal të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, duke caktuar masën e sigurisë ”Arrest në burg”, për veprën penale ”Mashtrimi kompjuterik”.
“Ky shtetas, në bashkëpunim me shtetasit e tjerë të arrestuar, për një periudhë 1-vjeçare, ka ndërhyrë në llogari të ndryshme të rrjetit social facebook, duke ndryshuar të dhënat e tyre dhe më pas i kanë përdorur për të komunikuar me miq të këtyre llogarive. Me anë të mashtrimit kanë kërkuar shuma të ndryshme monetare dhe si rezultat kanë përfituar shumën 38000 euro.
Vijon puna për identifikimin dhe arrestimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet të kundërligjshëm”, tha Policia.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.