Martohet “Njeriu i Hënës” në moshën 93-vjeçare
I dyti astronaut që ka shkelur Hënën në historinë e njerëzimit, ka bërë të ditur në ditëlindjen e tij të 93-të se është martuar me të dashurën e tij.
“Ne zhvilluam një ceremoni të vogël private në Los Anxhelos dhe jemi po aq të emocionuar sa dy adoleshentë”, shkruan Aldrin në rrjetin e tij social Twitter.
Buzz Aldrin do të lidhë kurorë për herë të katërt me Anca Faur, e cila është 30 vjet më e vogël në moshë se astronauti legjendar.
Ai ka tre fëmijë me gruan e parë James, Janice dhe Andreë. Ai ka një nip nga vajza e tij Janis, tre stërnipër dhe një stërmbesë.
Më 16 korrik 1969, Aldrin, Neil Armstrong dhe Michael Collins u ngritën nga Toka për në hapësirë me një mision të rëndësishëm, mbërritjen në Hënë për herë të parë për njerëzimin.
Astronauti është i njohur për përshëndetjen e flamurit amerikan në sipërfaqen e Hënës, gjatë misionit hënor Apollo 11.
Ai doli në pension nga NASA në 1971 dhe në 1998 themeloi ShareSpace Foundation, një organizatë jofitimprurëse për të promovuar zgjerimin e eksplorimit të hapësirës.
Pasi hyri në librat e historisë, Aldrin tha se po përballej me një moment të errët emocionalisht, pasi nuk e dinte se çfarë do të bënte me jetën e tij. Ai luftoi me depresionin dhe varësinë ndaj alkolit.
Aldrin ka qëndruar gjithnjë përpara syve të publikut, duke u përfshirë në shfaqje televizive të suksesshme amerikane, si Big Bang Theory, The Simpsons dhe 30 Rock.
Ai ka shkruar një sërë librash, por vitet e fundit është përqëndruar duke bërë thirrje në mënyrë të vazhdueshme për kolonizimin e Marsit. Për 93-vjeçarin ky hap është i nevojshëm jo vetëm për hir të eksplorimit, por për mbijetesën e vazhdueshme të rracës njerëzore.