Martesë pa miratimin e familjeve, babai djeg vajzën dhe dhëndrin
Një ngjarje horror ka ndodhur në Indi, ku një çift i porsamartuar është djegur. Gruaja 19-vjeçare ka ndërruar jetë në spital, pasi trupi i saj ishte djegur 70 për qind. Policia indiane dyshon se autori i kësaj ngjarje të rëndë është babai i vajzës, i cili është arratisur së bashku me dy nga vëllezërit e tij.
Rukhmini dhe 23-vjeçari, Mangesh Ransing, u martuan fshehurazi gjashtë muaj më parë, duke mos marrë pëlqimin e familjeve, të cilat ishin kundër martesës së tyre për shkak të besimeve të ndryshme. Pas martesës, të dy, Rukhmini dhe Mangesh Ransing, ishin kthyer në fshatin e tyre, shkruan Panorama Plus.
Ndërkohë sipas rindërtimit të ngjarjes nga policia lokale, të raportuar nga gazeta “Hindu”, ishte babai i vajzës, i cili duket se është në arrati, së bashku me dy vëllezërit e tij, ai që ka marrë iniciativën dhe djegur vajzën në mbrëmjen e 1 majit, pas një konflikti. Gjithashtu thuhet se fqinjët ndërhynë menjëherë dhe e çuan çiftin në spitalin më të afërt. Mangesh, 23 vjeç, ende përpiqet të mbijetojë, ndërsa gruaja e tij ka ndërruar jetë.