Marsela & Vitmar: Dashuria për njëri-tjetrin na frymëzon dhe na bën më të mirë!

Nga Eraldo Rexho / Fotot: Geljant Kaleci / Hair & Make Up: Suela Çangu / Veshjet (Marsela): Kohar Tirana / Veshjet (Vitmar): Breezy Albania

Ka një alkimi që të lë mbresa në lidhjen e Marsela Çibukajt dhe Vitmar Bashës. Është një shije e mirë që të ndjek edhe pasi ndalesh nga ata. Ndoshta fytyra e ëngjëllore e Marselës, ndoshta e folura e paqtë dhe e shtruar e Vitmarit, ose më shumë akoma tek shija e mirë e dashurisë së tyre. Ndihet nëpër rrjeshta, tek shikimet që shkëmbejnë me njëri-tjetrin, tek ai mirëkuptimi që jo çdo çift ka fatin ta ketë në jetë. Të tillë i gjetëm Marselën dhe Vitmarin në këtë gusht të nxehtë. Duke shijuar bashkëjetesën e ëmbël, siç vetëm dy artistë mund të shijojnë, duke u lëkundur ndër tinguj të ëmbël lumturie. Dhe kanë shumë për të treguar, që nga vallëzimi i parë nën shi, tek këngët e reja të Vitmarit dhe planet e Maeselës në muzikë (duket se ende nuk ka vendosur të zgjohet nga dehja e dashurisë), tek planet për një recital, për dasmën buzë detit, fëmijët, familjen…
Në u kënaqëm shumë gjatë kësaj bisede, detajet e së cilës po ua lëmë t’i shijoni edhe ju. E dimë që do t’i ndjeni edhe ju tingujt e dashurisë që endeshin përreth tyre…

Një verë plot dashuri për Marselën dhe Vitmarin… Punë, pushime, apo të dyja bashkë?
Vitmari: Do të thosha të treja bashkë, punë, pushime dhe dashni (buzëqesh).
Marsela: Jemi munduar të kombinojmë ‘live-et’ e secilit, ose ‘live-et’ e përbashkëta, me disa ditë pushimi. Kemi udhëtuar gjatë dimrit shpeshherë në Europë, kështu që disa ditë plazhi në relaks total janë mëse të mjaftueshme për momentin.

Marsela-2

A ju ka bërë dashuria për njëri-tjetrin më të mirë?
Marsela: Mendoj që prania e njërit në jetën e tjetrit ka shtuar më shumë ingredientë pozitivë në atë qe ne thuajse ishim. Siç thonë të vjetrit “bashkimi bën fuqinë”, me siguri kjo lidhje na ka bërë të jemi më të fortë e të shohim objektivat përpara sëbashku me një tjetër këndvështrim.
Vitmari: Jam dakord me Marselën! Na ka bërë më të vendosur, më me këmbë në tokë.

Marsela-4

Po krijimtarinë tuaj e ka përmirësuar?
Vitmari: 100% mund të them! Qëkur Marsela është pjesë e jetës sime çdo gjë është më e thjeshtë. “Chakra” e zemrës dhe ajo e krijimtarisë sikur kanë gjetur çelësin e duhur. Jo më kot pikërisht 2019-ta shënoi dhe publikimin e albumit tim “9”, ku frymëzimi kryesor ishte pikërisht Marsela, lidhja jonë.
Marsela: Sensibiliteti, shija e veçantë e Vitmarit për muzikën e mirë më bëri të besoj përsëri në diçka të mirëfilltë. Më ktheu në fillimet e mia në Itali, në kohën kur dëgjoja Dylan apo Pearl Jam, në kohën kur deheshim me “Beatles-at” apo “Stone-sat”. E gjitha kjo përkthehet në jetë, në energji dhe në frymëzim.

Marsela-3

Vitmari ka pasur një vit shumë të mirë, një album që sapo e përmendi për t’u festuar dhe projekte të tjera për të promovuar. A ka një këngë që ia ke dedikuar “muzës tende “, çfarë thuhet në të?
Vitmari: I gjithë albumi është një dedikim për Marselën. Në veçanti këngët “Zemra ime” dhe “Gjëja më e bukur në këtë jetë” janë ato më të drejtpërdrejta. Në këngën “Zemra ime” është një frazë që përmbledh më së miri idenë: “zemra ime nuk është asgjë para zemrës tënde, zemra ime ajo është perfekte sepse brenda je ti”.

Marsela-5

Por ndërkohë që nga Vitmari kemi dëgjuar materiale të reja, presim më shumë nga ty Marsela. Çfarë të step, të hedhësh hapa të rinj në muzikën tënde?
Marsela: Ndërkohë që po punojmë së bashku edhe mbi albumin tim, pres të gjejmë këngët e duhura, ato që më së shumti i përshtaten vokalit dhe gjendjes sime shpirtërore. Kam qenë shumë vite e përkëdhelur nga prezenca e pandalur në ekran dhe në skenën ‘live’ dhe tani akoma më shumë me prezencën e Vitmarit po gërmoj në hapësirat e krijimtarisë.

Marsela-6

E keni menduar një koncert të madh, të përbashkët?
Marsela: Uuh, miliona herë! Po presim që edhe unë të kem këngët e mia dhe pastaj mund të shpërthejmë në një “Albano & Romina” revival (qesh). E kemi shumë dëshirë, po punojmë fort të dy për këtë.

Marsela-7

Është muzika tema e përditshme e diskutimeve tuaja?
Vitmari: Jo vetëm, nuk kemi vetëm muzikën në qendër të vëmendjes. Na bashkojnë edhe shumë pasione të tjera, të cilat bëhen epiqendra e diskutimeve tona, si për shembull udhëtimet, gatimi, krijimi i një familjeje…
Marsela: …do të shtoja që së fundmi kemi edhe palestrën si temë diskutimi (të paktën Vitmari mundohet që ta bëjë pjesë të diskutimeve tona, por me shumë pak sukses nga ana ime do të thosha).

Çfarë ndodh në shtëpinë tuaj, luhet shumë muzikë?
Vitmari: Të ishte për mua, gjithë ditën, por të ishte për Marselën duhen mbaruar lavatriçet, vaditja e luleve në oborr etj, etj dhe pastaj muzika.
Marsela: …siç e kemi ne zonjat e shtëpisë në përgjithësi.

Marsela-8

Kur grindeni, pajtoheni me këngë?
Marsela: Ne grindjet zakonisht i fillojmë nga këngët dhe i mbyllim me këngë. Grindemi edhe për gjëra të tjera normalisht si çdo çift tjetër supozoj, por që muzika është ura që vendos paqe pas çdo debati.

Mendoni për të ardhmen, ç’plane thurni bashkë?
Vitmari: Ka shumë plane, si për shembull të bëjmë një xhiro gjatë e gjerë botës me ‘Harley’, duke luajtur këngët tona dhe pastaj të zgjerojmë familjen sa më shpejt.
Marsela: Si çdokush tjetër vjen një moment që ndjen dëshirën për të vënë rrënjët diku…Unë dhe Vitmari jemi rritur jashtë dhe familjet tona i kemi në Itali, prandaj do të na pëlqente ta ndërtonim folezën tonë me të gjithë njerëzit që na duan dhe duam sa më afër saj.

Marsela-9

E kujtoni sot se si nisi e gjithë kjo?
Marsela & Vitmari: Nisi me një vallëzim nën shi, në një natë marsi ndërkohë që nga makina dëgjohej një disk i vjetër i Ray Charles. Nuk mund t’i shtonim asgjë më shumë një perfeksioni të tillë.

Marsela-10

Do të ketë dasmë, brenda pak kohësh, apo jo?
Vitmari: Pavarësisht se është përfolur shumë në portale apo media për fajin tënd (buzqëqesh), ne nuk kemi ndarë apo planifikuar ende asgjë. Do na pëlqente pse jo, siç themi ne Tironsit “me kismet t’Zotit”.

Si e imagjinoni dasmën?
Marsela: Buzë deti, të rrethuar nga njerëzit që duam fort, prindërit, shoqëria… diçka e thjeshtë, por kuptimplotë dhe me siguri me muzikë shumë të mirë.

Marsela-11

Marsela më the që ke një raport të veçantë me prindërit e Vitmarit…
Marsela: Vitmari rrjedh nga një familje artistësh. Babai i Vitmarit është aktori i njohur Shkëlqim Basha dhe mamaja e Vitmarit Geisù Bakalli, pianiste, dirigjente orkestre e jashtëzakonshme. Përveçse artistë janë dhe njerëz plot mirësi, botë, eksperiencë, kështu që raporti me ta ka qenë super pozitiv që në fillim. Ndajmë së bashku poezinë, muzikën, dashurinë për të bukurën fisnike. Jam me fat që kam takuar në rrugën time të tillë njerëz.

Marsela-12

Kur do e bëni një videokëngë bashkë?
Marsela & Vitmari: Në shtator presim të lançojmë dy klipe, shpresojmë shumë të kemi kohën dhe frymëzimin e duhur për të ndarë me publikun diçka të bukur. / revistawho.com