Marjeta Ljarja kujton momentin kur donte të ndahej nga Rikardi: “I dhurova librin e Kadaresë dhe i shkrova…”
Artistët e mëdhenj nuk largohen kurrë në të vërtetë. Vazhdojnë të jetojnë brenda zemrave të familjarëve dhe kujtimeve të miqve e dashamirësve si një hije i padukshme që i ndjek nga pas kudo që shkojnë. I tillë është edhe rasti i kolosit të skenës shqiptare, Rikard Ljarja. Edhe pse kanë kaluar 3 vite nga ndarja e tij nga jeta, aktori Mevlan Shanaj ka vendosur ta “ringjallë” në një dokumentar që mban po emrin e tij.
“Rikard” është një përmbledhje ngjarjesh, përshtypjesh dhe eksperiencash që përcjell përmasën e tij intelektuale si aktor, regjisor, instrumentist, piktor dhe shkrimtar në një dokumentar nga Mevlan Shanaj. Po aq, Rikardi si bir, bashkëshort dhe baba u rrëfye nga familjarët. Marjeta Ljarja kujtoi ditët më të bukura të jetës dhe frikën që e bëri të donte ndahej prej tij kur ishte 22 vjeçe.
“Mua më është dukur copa e jetës më e bukur me Rikardin. Përrallë, pak të thuash përrallë. Thosha: ‘Marjetë, çfarë bëre, isha 22 vjeçe’. Dhe u tremba Mevlan. I dhurova Rikardit librin “Tregime të zgjedhura të Kadaresë, ku i kam lënë një shënim: “Ka qenë një ëndërr shumë e bukur, por do doja të përfundonte këtu dhe të mbetemi miq të mirë. Nuk e përballoj dot më tutje”. Por, ai vendimi i menjëhershëm i Rikardit, që më kapi dorën dhe nuk ma lëshoi më kurrë, do të thotë se ai gjeti diçka te unë, që nuk e kishte gjetur.”-përfundoni ajo.