Mario Draghi pranon detyrën e kryeministrit në Itali, pritet të konsultohet me partitë në Parlament
Mario Draghi ka pranuar postin e kryeministrit në detyrë në Itali. Lajmi bëhet me dije nga mediat italiane pas përfundimit të takimit mbi një orësh mes presidentit të vendit Sergio Mattarella, dhe të mandatuarit për qeverinë e re.
Pas disa ditësh konsultimesh, Presidenti i Italisë Sergio Mattarella i kërkoi ish-shefit të Bankës Qendrore Evropiane Mario Draghi të formojë një qeveri të re, e cila të jetë jo politike dhe ta drejtojë Italinë gjatë periudhës së pandemisë.
“Falënderoj Presidentin e Republikës për besimin që më ka dhënë. Është një moment i vështirë, duhet të jemi në lartësinë e detyrës”, ka thënë Draghi në një prononcim për mediat italiane. Tashmë Draghi do të kryejë një raund konsultimesh me partitë politike në Parlament, para se të marrë detyrën e re.
73-vjeçari Dragi, i njohur ndryshe me nofkën “SuperMario” u konsiderua si figura qendrore në shpëtimin e monedhës së përbashkët europiane, euro.
Më herët presidenti Mattarella u ka bërë apel partive politike në Parlament që të mbështesin lëvizjen e tij, duke vënë në dukje faktin se vendi po kalon ende një periudhë të vështirë si pasojë e pandemisë.
Lëvizja 5 Yjet është e ndarë në qëndrime lidhur me ekzekutivin e ri, ku një pjesë e deputetëve janë për një “qeveri teknike”, por janë shprehur se nuk do të votojnë për Draghi-n.
Ndërsa lideri i “Italia Viva”, ish-kryeministri Matteo Renzi, që ishte edhe nismëtari për rrëzimin e qeverisë Conte tha se: “Draghi duhet mbështetur, është koha për ndërtuesit”.
Kujtojmë që në 26 janar, Giuseppe Conte lajmëroi dorëheqjen si kryeministër i Italisë. “Falënderoj çdo ministër, për çdo ditë të këtyre muajve që qeverisëm së bashku”, do të shprehej ish-kreu i qeverisë.
Pandemia ndikoi në krisjen e raporteve në koalicionin qeverisës, që u përfshi nga debate të shumta lidhur me menaxhimin e fondeve të Bashkimit Evropian për menaxhimin e situatës.
Covid-19 i ka dhënë një goditje të rëndë ekonomisë italiane, që është vendi i dytë në Evropë sa i takon numrit të viktimave.